Kërcënohet kryetari dhe tre deputet të LDK-së

19.01.2023

Të mërkurën pasdite u raportua në media lidhur me një kërcënim ndaj liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, dhe disa deputetëve të kësaj partie. Lidhur me këtë ka dhënë detaje Policia e Kosovës. Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se PK-ja është duke hetuar këtë rast […]

Kërcënohet kryetari dhe tre deputet të LDK-së Foto: Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK)

Të mërkurën pasdite u raportua në media lidhur me një kërcënim ndaj liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku, dhe disa deputetëve të kësaj partie.

Lidhur me këtë ka dhënë detaje Policia e Kosovës.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prishtinës, Bajram Krasniqi, ka bërë të ditur se PK-ja është duke hetuar këtë rast duke e quajtur si “kanosje”.

“Policia e Kosovës, në këtë rast drejtoria kompetente e PK-së, ka ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme policore lidhur me rastin/kanosjen në fjalë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, u shpreh Krasniqi.

Ndërkaq, mediat raportuan se kërcënimi është denoncuar nga organet gjermane të sigurisë.

Po ashtu këto organe kanë rënë në gjurmë të një përgjimi ku flitet për një atentat direkt ndaj kryetarit të LDK-së dhe deputetëve të kësaj partie.

Telegrafi mëson se motivi i kërcënimit ishte politik.

Ndërkaq, synim për këtë ishin, Lumir Abdixhiku, Avdullah Hoti, Armend Zemaj dhe Arben Gashi.

Lidhur me këtë ka reaguar Deputeti Armend Zemaj, në Kanal 10 ai ka thënë se ky lajm ka shqetësuar familjet e të kërcënuarve.

Zemaj ka thënë se rastin ua kanë besuar organeve të sigurisë dhe nuk janë te interesuar ta marrin drejtësinë në dorë, por sipas tij nëse evidentohen me saktësi se planifikuesit janë shqiptarë do të përballen me ta edhe personalisht.

“Në fund të fundit edhe siç e thotë populli: “Dy duar janë për një kokë”. Pra nëse kërcënuesi ka një adresë, na duhet një përgjigje edhe në aspektin personal, të ju them të drejtën. Nëse organet e evidentojnë se ata janë shqiptarë, ata (planifikuesit e atentatit) duhet ta kenë edhe një përgjigje pse e kanë marrë këtë veprim, edhe para drejtësisë edhe para drejtësisë së Zotit. Nuk munden mu anashkalua këto gjëra”.

“Është shumë e rëndë që kur nuk i ke borxh askujt, dikush dëshiron të eliminojë fizikisht vetëm pse je oponent politik. Është tepër e rëndë vetëm ta mendosh në aspektin personal”, deklaroi tutje Zemaj.