KDI kërkon transparencë nga Presidenca për procesin e caktimit të mandatarit të dytë për formimin e Qeverisë

04.11.2025

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar lidhur me fazën e dytë të procesit të formimit të Qeverisë pas dështimit të votimit në Kuvend më 26 tetor, duke kërkuar që Presidenca të ofrojë transparencë dhe qartësi të plotë për mënyrën e caktimit të mandatarit të dytë.

Sipas KDI-së, ky proces është në ditët e fundit të afatit dhjetëditor të përcaktuar me nenin 95.4 të Kushtetutës së Kosovës, i cili obligon Presidenten të zhvillojë konsultime me të gjitha partitë parlamentare për të vlerësuar mundësinë reale të formimit të një shumice të re qeverisëse, me qëllim që vendi të shmangë zgjedhjet e parakohshme.

“Për të siguruar integritet dhe besueshmëri të procesit, është thelbësore që të gjitha hapat e Presidentes të jenë transparentë dhe të arsyeshëm,” thuhet në reagimin e KDI-së.

Instituti thekson se publikimi paraprak i kritereve që do të udhëheqin vlerësimin e “gjasës më të madhe për formim të shumicës” është element thelbësor për të garantuar paanshmëri dhe respektim të rendit kushtetues.

Po ashtu, KDI kërkon që Presidenca të sqarojë formën përmes së cilës do të kërkohet dhe verifikohet mbështetja parlamentare për mandatarin e mundshëm.

“Këto kritere përbëjnë garanci substanciale të paanshmërisë dhe funksionimit demokratik të institucioneve. Transparenca lidhur me to është e rëndësisë parësore për të ruajtur besimin publik në proceset kushtetuese,” thuhet ndër të tjera në deklaratën e KDI-së.

Ky reagim vjen në një kohë kur vendi ndodhet në një moment politik vendimtar, ndërsa pritet që Presidentja të shpallë vendimin për mandatarin e dytë për formimin e Qeverisë së re.