Java e ardhshme me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh, nga IHMK tregojnë nëse Kosova rrezikohet nga përmbytjet

16.07.2021

Gjermania është duke u përballur me reshje të shumta të shiut, ku si pasojë e këtyre janë duke e përjetuar një gjendje katastrofale me përmbytje. Deri tash në Gjermani fatkeqësisht kanë humbur jetën mbi 80 persona dhe shumë të tjerë janë zhdukur. Sipas ekspertëve, e gjithë kjo po ndodh për shkak të ndryshimeve klimatike. Po […]

Java e ardhshme me reshje shiu dhe shkarkime rrufesh, nga IHMK tregojnë nëse Kosova rrezikohet nga përmbytjet Foto: Ilustrim

Gjermania është duke u përballur me reshje të shumta të shiut, ku si pasojë e këtyre janë duke e përjetuar një gjendje katastrofale me përmbytje.

Deri tash në Gjermani fatkeqësisht kanë humbur jetën mbi 80 persona dhe shumë të tjerë janë zhdukur.

Sipas ekspertëve, e gjithë kjo po ndodh për shkak të ndryshimeve klimatike.

Po ashtu edhe në Kosovë është parashikuar se që nga java e ardhshme do të ketë ndryshime të motit, me reshje shiu e shkarkime rrufesh.

Bashkim Kastrati nga sektori për Hidrologji dhe Prognoza Hidrologjike, në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), për Telegrafin ka thënë se Kosova nuk rrezikon të përballet me një situatë të ngashme sikurse në Gjermani.

Kastrati ka thënë se pavarësisht se do të ketë reshje shiu e shkarkime rrufesh gjatë javës së ardhshme, nuk ka rrezik për vërshime e as përmbytje të përmasave të tilla në vendin tonë.

“Jemi tu e përcjell situatën meteorologjike, mund të ketë reshje lokale, por përmbytje të përmasave të tilla nuk ka rrezik, jemi jashtë asaj zone”, u shpreh Kastrati.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka njoftuar se gjatë javës së ardhshme do të fillojnë të bien temperaturat dhe do të ketë reshje shiu.

Përveç javës së ardhshme edhe sot parashihet të ketë vranësira të dendura të cilat do të shoqërohen me riga shiu dhe shkarkime rrufesh.

Ekziston rreziku që në disa vende të bie breshër. Kjo situatë parashihet për shkak se në fusha termike ditëve të fundit patëm temperatura të larta dhe këto ndryshime fizike që parashihen të ndodhin në Troposferë mund të jenë të shpejta  duke krijuar një mot me stuhi.

Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 17-18 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 27-31 gradë Celsius.

Do të fryjë erë kryesisht nga juglindja e lehtë dhe lokalisht e fortë.