Paralajmërim për erëra të forta në Kosovë, Instituti Hidrometeorologjik jep alarm të verdhë

26.03.2026

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se gjatë datës 26 mars 2026 vendi do të përballet me erëra të fuqishme, të cilat janë klasifikuar në nivelin e rrezikut “të verdhë”.

Sipas njoftimit, shpejtësia e erës pritet të arrijë mbi 24 metra në sekondë (rreth 85 km/h), veçanërisht në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit.

Këto kushte mund të shkaktojnë dëmtime në prona, probleme në komunikacion, si dhe rrezik nga rrëzimi i degëve të pemëve apo objekteve të paqëndrueshme.

Autoritetet paralajmërojnë gjithashtu për vështirësi në sektorin e ndërtimtarisë dhe rreziqe shtesë për sigurinë e qytetarëve dhe kafshëve, sidomos në zona të ekspozuara ndaj erës.

Instituti u bën thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar, të ndjekin përditësimet e motit dhe të shmangin aktivitetet në ambiente të hapura gjatë periudhave me erëra të forta.