Java Botërore e Imunizimit shënohet në Suharekë me aktivitete vetëdijësuese nëpër shkolla

27.04.2026

Në kuadër të Javës Botërore të Imunizimit (24–30 prill 2026), QKMF “Rexhep Kuçi” në Suharekë ka nisur një sërë aktivitetesh informuese me synim rritjen e ndërgjegjësimit për rëndësinë e vaksinimit në mbrojtjen e shëndetit publik.

Gjatë kësaj jave janë organizuar ligjërata edukative për nxënësit në disa shkolla fillore, ku është theksuar roli kyç i imunizimit në parandalimin e sëmundjeve infektive dhe në mbrojtjen e të gjitha grupmoshave.

Ligjëratat janë mbajtur nga profesionistë shëndetësorë, përfshirë Dr. Behare Elshani, Dr. Sale Bytyqi dhe Msc. Arberije Kolgeci, të cilët kanë informuar nxënësit mbi rëndësinë e vaksinimit dhe ndikimin e tij në shëndetin individual dhe kolektiv.

Aktivitetet janë zhvilluar në shkollat “Destan Bajraktari” dhe “Shkëndija” në Suharekë, si dhe në “Edit Durham” në Mushtisht dhe “Gj.K. Skënderbeu” në Sallagrazhdë.

Nga QKMF “Rexhep Kuçi” u bë thirrje për qytetarët që të vaksinohen, duke theksuar se vaksinimi mbetet një nga mënyrat më efektive për mbrojtjen e vetes dhe të tjerëve.