Jasharaj: Qeveria Kurti të mos ndihet triumfale, por të marrë mësim nga greva

01.10.2022

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ka bërë të ditur se greva në arsim e filluar nga 25 gushti tashmë është pezulluar dhe se mësimi nis më 3 tetor, e hënë. I pari i SBASHK-ut ka shtuar se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti s’duhet ta […]

Jasharaj: Qeveria Kurti të mos ndihet triumfale, por të marrë mësim nga greva Foto: Ilustrim

Kryetari i Sindikatës së Arsimit, Rrahman Jasharaj përmes një konference të jashtëzakonshme për media, ka bërë të ditur se greva në arsim e filluar nga 25 gushti tashmë është pezulluar dhe se mësimi nis më 3 tetor, e hënë.

I pari i SBASHK-ut ka shtuar se Qeveria e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti s’duhet ta shohë pezullimin e grevës si një fitore të saj, por se të marrë mësim meqë pezullimin e saj e bënë për hir të fëmijëve.

“Uroj që Qeveria Kurti të ketë nxjerrë mësime dhe të mos dalë tash e të ndihet triumfale. Sindikatën e Arsimit, shërbyesit civilë, por edhe BSPK-në, që ka një histori të lavdishme nga vitet e 90-ta, s’ka mundur kush ta gjunjëzojë, as kjo qeveri as të tjerat që do të vijnë”.

Rrahman Jasharaj ka deklaruar se kanë qenë kategorikë ndaj grevës, por se si shkak i linçimeve si dhe fyerjeve të rënda kanë hequr dorë nga kjo grevë e përgjithshme.

Gjithashtu, Jasharaj ka theksuar se do të vazhdojnë të komunikojnë me Qeverinë lidhur me kërkesat e anëtarësisë si dhe të gjejnë forma të tjera në përballje me ezekutivin.

“Këtë pezullim po e bëjmë me vullnetin e anëtarësisë për të dëshmuar se ne e ndiejmë çka është viti shkollor dhe po të them se jemi ndierë keq për një muaj në shtëpi. Apelet e prindërve i kemi pranuar dhe pikërisht edhe për hir të tyre, sepse pjesa më e madhe e prindërve kanë qenë dinjitoz, ka pasë kërkesa e urdhra nga Qeveria që të shkojnë në shkollë dhe të mbajnë mësim.

Aty-këtu e kanë bërë. Por, nxënësit kanë qenë të mrekullueshëm dhe apeli im ka qenë që ata të rrinë në shtëpi dhe të mos dalin rrugëve për t’u përballur me rreziqe”.