Inflacioni arrin kulmin, rritje enorme të çmimeve të energjisë dhe ushqimit
Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlerësojnë se në tremujorin e dytë në vitin 2022, inflacioni në Kosovë arriti nivelet më të larta që nga mesi i vitit 2008, i nxitur kryesisht nga rritja e jashtëzakonshme e çmimeve të energjisë dhe ushqimit. Indeksi i çmimeve të konsumit gjatë Tre Mujorit të […]
Të dhënat e fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), vlerësojnë se në tremujorin e dytë në vitin 2022, inflacioni në Kosovë arriti nivelet më të larta që nga mesi i vitit 2008, i nxitur kryesisht nga rritja e jashtëzakonshme e çmimeve të energjisë dhe ushqimit.
Indeksi i çmimeve të konsumit gjatë Tre Mujorit të 2-të të 2022 arriti në 12.6 për qind, me normën më të lartë të inflacionit të shënuar gjatë muajit qershor prej 14.1 për qind.
“Si pasojë e intensifikimit të presioneve inflacioniste gjatë TM2 2022, inflacioni në Kosovë ka filluar të shpërndahet edhe në sektorë tjerë veçanërisht në atë të shërbimeve, që lë të kuptohet për bartjen e kostove të ngritura nga prodhuesit tek konsumatorët.
Rritja e kostove dhe pengesat e vazhdueshme në zinxhirët e furnizimit të mallrave të ushqimit dhe energjisë kanë bërë që këto komponentë të indeksit të përgjithshëm të shënojnë rritjen më të lartë, me kategorinë e ushqimit dhe pijeve joalkoolike që shënoi rritje prej 16.6 për qind, dhe çmimet e energjisë elektrike, gazit, dhe lëndëve tjera djegëse që shënuan rritje prej 17.1 për qind.
Sipas këtij raporti, në kuadër të kategorisë së ushqimeve, rritje e lartë e çmimeve u shënua në çmimin e vajrave dhe yndyrave prej 53.1 për qind, bukës dhe drithërave prej 26.3 për qind, dhe qumështit, djathit, dhe vezëve me rritje prej 22.2 për qind.
Shpërndarja e presioneve inflacioniste në sektorë tjerë vërehet në rritjen e inflacionit bazë, i cili shënoi ngritje prej 4.6 për qind (2.9 për qind në TM1 2022) si rrjedhojë e rritjes së çmimeve të transportit (23.9 për qind), restoranteve dhe hoteleve (10.1 për qind), dhe orendive (6.3 për qind).”Çmimet në këta sektorë përveçse nga bartja e kostove tek konsumatorët, po ashtu u ndikuan edhe nga rikthimi i aktivitetit ekonomik si rezultat i lehtësimit të kufizimeve nga pandemia, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.”, thuhet në raport.
Duke pasur parasysh pozitën e ekonomisë së Kosovës si neto importuese e energjisë dhe ushqimit, luhatjet e mëdha të çmimeve të këtyre kategorive dhe pesha e tyre e konsiderueshme në shportën e konsumatorit bëjnë që kontributi i këtyre kategorive në inflacionin e përgjithshëm të jetë më i lartë sesa i komponentëve tjerë. Kështu, kontributi i ushqimit dhe pijeve joalkoolike dhe transportit në inflacionin e përgjithshëm gjatë kësaj periudhe ishte 6.6 pikë përqindje dhe 3.8 pikë përqindje respektivisht, ai i strehimit, ujit, rrymës, gazit, dhe lëndëve tjera djegëse ishte 0.9 pikë përqindje, ndërsa kontributi i orendive ishte pothuajse 0.5 pikë përqindje.