Guvernatori i BQK-së mirëpritet në Thesarin Amerikan, ritheksohet mbështetja për forcimin e sektorit financiar në Kosovë
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me delegacionin e tij, është pritur ngrohtësisht në Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA-së nga Drejtoresha në Detyrë, znj. Audrey Linthorst, dhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj zyre. Takimi u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së […]
Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, së bashku me delegacionin e tij, është pritur ngrohtësisht në Zyrën e Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA-së nga Drejtoresha në Detyrë, znj. Audrey Linthorst, dhe drejtues të tjerë të lartë të kësaj zyre.
Takimi u zhvillua në kuadër të pjesëmarrjes së delegacionit të BQK-së në Takimet Vjetore 2025 të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB), dhe shërbeu si një pikë e rëndësishme e bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet institucioneve.
Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohje të thellë për mbështetjen afatgjatë dhe të qëndrueshme të Thesarit të SHBA-së ndaj Bankës Qendrore të Kosovës, duke vlerësuar lartë rifillimin e aktiviteteve në kuadër të asistencës teknike dhe rolin thelbësor të këtij partneriteti në ndërtimin e një banke qendrore moderne dhe funksionale.
Në këtë takim, delegacioni i BQK-së informoi përfaqësuesit e Thesarit mbi:
- Zhvillimet kryesore në sektorin financiar të Kosovës,
- Avancimin e kornizës ligjore kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit,
- Masat konkrete për luftimin e monedhave false dhe
- Ndërtimin e kapaciteteve për mbikëqyrje të bazuar në rrezik.
Guvernatori Ismaili theksoi se BQK mbetet plotësisht e përkushtuar për të avancuar partneritetin me Thesarin e SHBA-së në fusha strategjike me interes të përbashkët.
Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Thesarit amerikan konfirmuan gatishmërinë për vazhdimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit teknik, duke theksuar se programi i ri i asistencës teknike do të ofrojë më shumë mundësi për mbështetje institucionale.
Banka Qendrore e Kosovës riafirmon angazhimin e saj për të promovuar një sektor financiar të fortë, gjithëpërfshirës dhe të qëndrueshëm, duke ndjekur standardet më të larta ndërkombëtare dhe praktikat më të mira globale.