Hovenier i shqetësuar për shpronësimet në veri, thotë se situata atje është e tensionuar

08.06.2024

Ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se dallimet që kanë partnerët ndërkombëtarë të Kosovës me Qeverinë e Albin Kurtit rreth shpronësimeve në veri, nuk kanë të bëjnë me anën ligjore të veprimeve, por me mënyrën se si po zbatohet ligji.

Hovenier i shqetësuar për shpronësimet në veri, thotë se situata atje është e tensionuar Foto: Ilustrim

Ditë më parë, shtetet e Quint-it, Zyra e BE-së në Kosovë dhe OSBE-ja, reaguan për vendimin e Qeverisë së Kosovës për shpronësime në disa komuna në veri të vendit.

E Qeveria dje doli me një sqarim, ku tha se është zbatuar ligji në përpikëri rreth kësaj çështjeje.

Hovenier ndërkaq, në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, tha se askush nuk e konteston se qeveria e ka autoritetin të kryejë shpronësim toke, por shtoi se “në të gjitha shoqëritë demokratike, shpronësimi i tokës – marrja e tokës për shkak të nevojave të qeverisë për atë tokë, megjithë kundërshtimin e pronarëve, është diçka që bëhet si zgjidhje të fundit, diçka që bëhet në rrethana të skajshme”.

“Kur një gjë e tillë ndodh në pjesën veriore të Kosovës, ku tensionet janë tashmë të ngritura dhe ku qytetarët kanë dyshime nëse qeveria me të vërtetë po vepron në interesin e tyre, duhen pasur parasysh në veçanti ndjeshmëritë e komunitetit. Duhen përpjekjet maksimale për komunikim dhe një angazhim i plotë me komunitetin në një formë që nuk lë asnjë hapësirë për keqkuptim, me vëmendje për çdo detaj”, theksoi Hovenier në këtë intervistë.

Në Shtetet e Bashkuara, ai tha se sistemi gjyqësor përballet me çështje të shumta nga njerëzit që kontestojnë veprimet e qeverisë për të shpronësuar tokat pasi kjo është çështje e ndjeshme sepse njerëzit i duan pronat e tyre.

“Në rastin në fjalë, siç e thotë edhe deklarata jonë e përbashkët, jo vetëm e Shteteve të Bashkuara, por e të gjitha shteteve të Kuintit, Bashkimit Evropian si institucion dhe misionit të OSBE-së në Kosovë, asnjëri prej nesh nuk e konteston ligjshmërinë e veprimit të qeverisë për të shpronësuar tokë, por kemi rezerva për formën se si po bëhet ky veprim. Kemi patur disa diskutime me Qeverinë e Kosovës për interpretimin e ligjit dhe për faktin se nuk mendojmë se janë përmbushur të gjitha kriteret ligjore”.

“Kemi shprehur shqetësimet tona për mënyrën se si qeveria është angazhuar me komunitetet e prekura nga ky vendim dhe kemi shprehur zhgënjimin tonë që këshilla jonë nuk është marrë parasysh”, theksoi diplomati amerikan në Kosovë.