Mbahet mbrëmja lamtumirëse e Ambasadorit Hovenier, përcillet me mirënjohje të shumta

19.12.2024

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, Presidentja Vjosa Osmani dhe përfaqsues të institucioneve morën pjesë në pritjen lamtumirëse të organizuar për Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Ceremonia u mbajt në ambientet e Ambasadës Amerikane në Prishtinë, ku përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës shprehën falënderimet e tyre për angazhimin dhe përkushtimin e ambasadorit gjatë mandatit të tij.

Në fjalimin e tij, Kryeministri Kurti vlerësoi punën e Ambasadorit Hovenier, duke theksuar se gjatë pothuajse tre viteve të tij në Kosovë, marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë avancuar në shumë fusha. Ai përmendi veçanërisht përparimin në mbrojtje, siguri dhe inteligjencë, mbështetjen për zgjerimin e kapaciteteve energjetike të vendit dhe arritjen e vlerësimit të parë kreditor për Kosovën.

“Koha e juaj në Kosovë është definuar jo vetëm nga profesionalizmi dhe integriteti i juaj, por edhe nga humanizmi dhe mbështetja e juaj e palëkundur për popullin tonë,” tha Kryeministri Kurti, duke shtuar se Ambasadori Hovenier ka pasur një rol qenësor në progresin e vendit.

Në një gjest simbolik, Kryeministri ngriti dolli për Ambasadorin Hovenier, duke e quajtur atë një mik të shquar dhe besnik të Kosovës. “Ambasador, dijeni që Kosova do jetë gjithmonë shtëpia juaj. Ne do të jemi këtu për t’ju mirëpritur – si një mik i dashur i yni,” përfundoi ai.

Pritja lamtumirëse shënoi një moment reflektimi dhe falënderimi për një periudhë të rëndësishme të bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.