Haxhiu thotë se vettingun do ta bëjnë edhe në polici: MPB-ja ka formuar grupin punues
- 27.12.2022

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu gjatë raportimit para Komisionin Ad-hoc për Zhvillimin e Procesit të Vlerësimit Kalimtar apo të vetingut u shpreh se dosja për procesin e vetingut e cila është dorëzuar në shtator në Kuvendin e Kosovës përbëhet nga nëntë dokumente, ku pjesa kryesore është ajo e draftit me amandamente kushtetuese, draft të cilin e konsideron të gatshëm për vlerësim nga Gjykata Kushtetuese.
Haxhiu e konsideroi si sfidë edhe sigurimin e 2/3 të votave të Kuvendit të Kosovës për këtë proces por kërkoi mbështetjen për të siguruar votat sidomos të komuniteteve.
Ajo gjatë këtij raportimi tha se edhe Ministria e Punëve të Brendshme ka krijuar grupin punues dhe po punon në koncept-dokumentin për vetingun në institucionet kyçe të sigurisë.
Haxhiu u shpreh se për zhvillimin e vetingut në Kosovë janë marrë parasysh të gjitha rekomandimet e Komisionit të Venecias, i cili rekomandoi veting për nivelet e larta në drejtësi përmes mekanizmit të jashtëm.
E para e drejtësisë kosovare, Albulena Haxhiu tha se draft amandamentet kushtetuese përfshijnë tri amandamente kushtetuese të cilat janë në përputhje me rekomandimet e Venecias.
“Është një dosje voluminoze. Janë nëntë dokumente përkatëse që kanë të bëjnë me këtë proces. Sa i përket dokumenteve të tilla konsideroj edhe njëherë se e kemi të nevojshme një sqarim marr parasysh që ka pas keqkuptime të shumta disa të qëllimshme e disa duke mos pasur informacioneve më lejoni ta sqaroj se dokumenti më i rëndësishëm në këtë dosje është drafti i amandamenteve kushtetuese, të cilat si drafte paraprake janë vlerësuar dhe rishikuar nga Komisioni i Venecias, Komisioni i ka mirëpritur ndryshimet e bëra në këto amandamente në kuadër të dosjes së vetingut vetëm draft amandamentet kushtetuese janë në përputhje të plotë me opinionin final të rekomandimeve të Komisionit të Venecias. Sa i përket përmbajtjes draft-amandamentet kushtetuese përfshijnë tri amandamente kushtetuese kryesore të cilat mes të tjerash kanë të bëjnë me sqarimin e bazës për shkarkim të një gjyqtari ose një prokurori nga pozita, dhe gjithashtu përfshijnë rregullimin dhe funksionimin e autoritetit të veçantë të kontrollit të autoritetit, i cili autoritet përkohësisht i merr kompetencat e dy Këshillave në kuptim të kontrollit të integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të anëtarëve të KGJK, KPK sikurse kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve dhe vendosjen e sanksioneve apo edhe propozimeve për shkarkim që ia bënë presidentit”, tha ajo.
Rashit Qalaj nga PDK e theksoi nevojën që procesi i vetingut të përfshijë edhe institucionet e sigurisë në vend.
“Ndoshta është një ndër proceset më të rëndësishme për vendin… Konsideroj se vetingu në sistemin e drejtësisë nuk është i mjaftueshëm, unë mendoj se ky veting duhet t’i përfshijë edhe institucionet e sigurisë gjithmonë duke pasur parasysh edhe hallkën që iu lidh institucionet e sigurisë dhe ato të drejtësisë dhe pastaj detyrimisht besoj që kur të bëjmë vetingun për organet e sigurisë dhe të drejtësisë atëherë mendoj se një lloj vetingu apo certifikate e sigurisë apo duhet të jetë edhe për ministritë përkatëse apo deputetët që janë komisionet për siguri dhe mbrojtje, inteligjencë dhe legjislacion dhe nëse e bëjmë këtë do të mbyllej procesi”, theksoi ai.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu tha se edhe Ministria e Punëve të Brendshme tashmë ka krijuar grupin punues dhe po punon në koncept-dokumentin për vetingun tek institucionet e sigurisë.
Sipas saj, procesi i vetingut në siguri është më i lehtë, po situata në veri e ka ngadalësuar procesin.
“Vetingu në sistemin e sigurisë kjo është me lehtë proceduralisht siç e dini ne e kemi në programin qeverisës edhe vetingun në Polici por aty në nivelet më të larta dhe institucionet më të ndjeshme… MPB ka formuar grupin punues dhe është duke punuar në koncept-dokument por arsyeja se pse nuk kanë qenë në të njëjtën linjë me Ministrinë e Drejtësisë është edhe për shkak të rrethanave në veri që ne nuk mund që ta mohojmë këtë sepse gjithë fokusi ka qenë tek situata në veri mirëpo sipas informacioneve që i kemi si ministri dhe që jemi pjesë e grupit punues në kuadër të MPB ata janë duke punuar në këtë proces por është shumë më lehtë sepse nuk ka nevojë për ndryshime kushtetuese sikurse tek procesi i vetingu në sistemin e drejtësisë“, tha ajo.