Haxhiu: Nuk jemi kundër koalicioneve, por nuk duam varësinë nga subjektet tjera
Ish-ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka komentuar zgjedhjet e jashtëzakonshme të shpallura nga Presidentja Vjosa Osmani për datën 28 dhjetor, duke bërë thirrje që qytetarët t’i japin mbështetje të fuqishme Lëvizjes Vetëvendosje.
Foto: Ilustrim
Në një intervistë për TV Dukagjinin, Haxhiu deklaroi se muajt e fundit kanë treguar rëndësinë që VV-ja të ketë pavarësinë e plotë për të qeverisur, pa u varur nga subjektet tjera politike, të cilat sipas saj kanë ushtruar presion dhe kanë pasur kërkesa disproporcionale me fuqinë e tyre elektorale.
“Unë besoj që tashmë qytetarët e kanë parë që nga muaji prill deri dje se sa është e rëndësishme që LVV të mos varet prej subjekteve tjera politike, të cilat kanë kërkesa në mospërputhje me fuqinë politike. Kanë fuqi politike aq sa qytetarët iu kanë dhënë në zgjedhje, por kërkesat i kanë shumë të mëdha”, tha Haxhiu.
Ajo theksoi se synimi i VV-së nuk është të qeverisë e vetme, duke përmendur bashkëpunimet e mëhershme me LDK-në. Sipas saj, partia ka pasur vullnet për koalicione edhe pas zgjedhjeve të 15 prillit, por sfidat kanë ardhur nga “inatet politike” të disa subjekteve.
Haxhiu akuzoi partitë tjera se, për shkak të qëndrimeve të tyre kundër VV-së dhe kryeministrit Albin Kurti, kanë lënë vendin pa buxhet dhe pa miratuar marrëveshje ndërkombëtare, si dhe kanë bllokuar paga për punëtorët e RTK-së.
“Mendoj që është e rëndësishme që të mos varemi nga këto subjekte politike, të cilat vetëm për shkak të inateve që kanë me LVV-në dhe me Albin Kurtin e lanë vendin pa buxhet, pa marrëveshje ndërkombëtare, i lanë punëtorët e RTK-së pa paga. Vetëm për shkak të kapriçove të tyre politike. Ata nuk udhëhiqen nga parimet…”, deklaroi ajo.
Zgjedhjet e 28 dhjetorit pritet të përcaktojnë përbërjen e re të Kuvendit dhe rrjedhimisht stabilitetin politik të qeverisë së ardhshme. Haxhiu vlerëson se një fitore bindëse e VV-së do të siguronte qeverisje më të qartë dhe pa shantazhe.