Hapet aplikimi për subvencionimin e teksteve dhe materialeve shkollore për vitin 2025/2026

15.08.2025

Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka njoftuar se nga sot prindërit dhe kujdestarët ligjorë mund të aplikojnë për subvencionimin e teksteve shkollore dhe materialeve mësimore përmes platformës elektronike e-Kosova.

Sipas MAShTI-t, për vitin shkollor 2025/2026 do të ndahen:

  • 80 euro për nxënësit nga klasa I deri në klasën V, për blerjen e teksteve dhe materialeve mësimore;
  • 80 euro për nxënësit nga klasa VI deri në klasën IX, për blerjen e fletoreve të punës dhe materialeve mësimore.

Tekstet shkollore për nxënësit e klasave VI–IX, sipas Udhëzimit Administrativ Nr. 13/2016, do të përdoren nga gjenerata e kaluar, një praktikë e aplikuar edhe vitin e kaluar.

MAShTI ka theksuar se procesi i aplikimit këtë vit është thjeshtuar, pasi llogaritë bankare të prindërve janë aktive nga vitet paraprake. Ashtu si në dy vitet e fundit, mjetet financiare do të transferohen drejtpërdrejt në xhirollogaritë bankare të prindërve pas verifikimit të aplikimeve nga shkollat përkatëse.

Drejtoritë Komunale të Arsimit janë njoftuar paraprakisht për procedurat, ndërsa Ministria ka uruar një vit të mbarë e të suksesshëm për të gjithë nxënësit.