Gjermania e vendosur që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza nga 1 janari

05.09.2023

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron javën e kaluar bëri bujë me një deklaratë të tij ku la të kuptohej se Parisi dhe Berlini mund ta rishikojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, nëse kjo e fundit nuk vepron me përgjegjësi sa i përket destabilizimit të situatës në veri. Megjithatë, mediumi “Euroactiv” merr vesh se Gjermania do […]

Gjermania e vendosur që qytetarët e Kosovës të lëvizin pa viza nga 1 janari Foto: Ilustrim

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron javën e kaluar bëri bujë me një deklaratë të tij ku la të kuptohej se Parisi dhe Berlini mund ta rishikojnë liberalizimin e vizave për Kosovën, nëse kjo e fundit nuk vepron me përgjegjësi sa i përket destabilizimit të situatës në veri.

Megjithatë, mediumi “Euroactiv” merr vesh se Gjermania do t’i përmbahet afatit kohor nga 1 janari 2024, një ndryshim ky në qëndrim me palën franceze.

Një proces i cili është vonuar për vite, mund të marrë fund dhe qytetarët e Kosovës mund të lëvizin pa viza nëpër vendet e zonës Schengen nga 1 janari i vitit 2024. Kjo pasi shtetet anëtare votuan pro një vendimi të tillë.

Pak muaj pas tensioneve në veri të vendit, po kërkohet me urgjencë zbatimi i marrëveshjeve të arritura.

Presidenti francez kërkoi nga të dyja palët rikthim në dialogun e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, sa më parë. Ai madje, përmendi edhe pasoja për të dy shtetet nëse nuk veprojnë me përgjegjësi.

Macron përmendi çështjen e vizave dhe çështje të tjera ekonomike si zotime që mund të rishikohen.

“Ne presim që paqja do të kthehet në këtë pjesë. Franca e Gjermania kanë bërë zotime sa i përket politikave të vizave dhe çështje tjera ekonomike, të cilat do të rishikohen nëse palët dështojnë të sillen me përgjegjësi. Duhet të jemi vigjilentë veçanërisht në këtë aspekt, veçanërisht kur bëhet fjalë për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor”, tha Macron.

Ndryshe nga Macron, për këtë çështje ka vepruar kancerlari gjerman, Olaf Scholz.

Scholz nuk ka bërë deklarata publike, si Macron, të cilat mund të sugjerojnë masa ndaj vendeve, ndonëse, Kosova po përballet me masa ndëshkuese edhe aktualisht.

“Euroactiv” raporton se një burim i afërt me Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë e ka bërë të qartë që qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza nga fillimi i vitit të ardhshëm.

“Gjermania i nënshtrohet rregulloreve të nënshkruara nga BE-ja në prill të vitit 2023. Sipas këtyre, qytetarët e Kosovës, në të ardhmen do të përjashtohen nga nevoja për vizë për qëndrime të shkurta në zonën Schengen. Kjo do të hyjë në fuqi më 1 janar 2024…”, citohet të ketë thënë ky burim.

Sidoqoftë, mediumi tutje raporton se “ka marrë vesh” që në Gjermania do të qëndrojë prapa afatit kohor të vendosur tashmë dhe nuk ka plane “për të dalë nga kjo rrugë”.

“Euroactiv” po ashtu raporton se Macron, kur përmendi Gjermaninë në deklaratën e tij, e bëri pa marrëveshje me Berlinin.

Javën e kaluar, ultimatumit të Macronit iu përgjigj edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tha se nëse një hap i tillë ndërmerret, dialogu do të vritej njëherë e përgjithmonë.

Ajo shtoi se pret që BE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës, duke i cilësuar ato të padrejta dhe disproporcionale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb Aleksander Vuçiq do të takohen në Bruksel më 14 shtator./IndeksOnline/