Malajzia heq vizat për qytetarët e Kosovës – Osmani paralajmëron hapjen e Ambasadës në Kuala Lumpur
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka njoftuar sot se shteti i Malajzisë ka marrë vendim për të përjashtuar qytetarët e Republikës së Kosovës nga regjimi i vizave për qëndrime deri në 30 ditë.
Foto: Ilustrim
Lajmi u bë i ditur përmes një postimi të Presidentes në platformën X.
“Përpara vizitës sime zyrtare në Malajzi javën e ardhshme, jam thellësisht mirënjohëse ndaj autoriteteve malajziane për vendimin e tyre për të dhënë përjashtime nga vizat për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës për qëndrime deri në 30 ditë,” shkroi Osmani.
Ky zhvillim vjen në prag të një vizite zyrtare të Presidentes Osmani në Malajzi, gjatë së cilës pritet të bëhet edhe hapja zyrtare e Ambasadës së Kosovës në Kuala Lumpur. Presidentja theksoi se ky hap është dëshmi e forcimit të marrëdhënieve ndërshtetërore dhe i kontribuon avancimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme.
“Ky hap i rëndësishëm, i kombinuar me hapjen e ardhshme të Ambasadës sonë në Kuala Lumpur gjatë vizitës sime javën e ardhshme, është një shenjë e qartë se lidhjet midis dy vendeve tona po forcohen çdo ditë,” u shpreh më tej Osmani.
Presidentja gjithashtu ka shprehur mirënjohje për institucionet malajziane dhe ka rikonfirmuar përkushtimin e saj për thellimin e bashkëpunimit mes dy vendeve, duke e cilësuar këtë vendim si një hap strategjik në rritjen e prezencës diplomatike dhe ekonomike të Kosovës në rajonin e Azisë Juglindore.