Izraeli heq vizat për turizëm, por kërkohet regjistrim elektronik
Ambasadorja e Shtetit të Izraelit në Republikën e Kosovës, Tamar Ziv, ka dhënë një lajm të rëndësishëm për qytetarët kosovarë.
Foto: Ilustrim
Përmes një postimi në platformën X, ajo ka njoftuar se duke filluar nga data 5 maj 2025, Kosova do të përfshihet në listën e vendeve të përjashtuara nga regjimi i vizave për hyrje në Izrael me qëllim turistik.
Sipas njoftimit të Ambasadores Ziv, ky vendim i hap rrugën të gjithë qytetarëve të Kosovës që mbajnë një pasaportë të vlefshme të vendit të vizitojnë Izraelin për qëllime turistike pa pasur nevojë për vizë paraprake.
Megjithatë, ambasadorja ka theksuar një detaj të rëndësishëm. Të gjithë shtetasit e Kosovës që dëshirojnë të udhëtojnë në Izrael janë të detyruar të pajisen me ETA-IL (Autorizim Elektronik për Udhëtim) përpara nisjes.
“Të gjithë shtetasit e Kosovës që planifikojnë të vizitojnë Izraelin duhet të aplikojnë për ETA-IL të paktën 72 orë para mbërritjes. Një ETA-IL i miratuar tregon se ju lejohet të udhëtoni në Izrael dhe të qëndroni deri në 90 ditë për çdo vizitë,” ka shkruar Ambasadorja Ziv në njoftimin e saj.
Ajo ka sqaruar më tej se çdo udhëtar drejt Izraelit duhet të ketë ose një vizë të vlefshme, ose një miratim ETA-IL para se të fillojë udhëtimin. Sipas ambasadores, procesi i marrjes së një ETA-IL është i thjeshtë dhe i shpejtë, me kusht që aplikuesi të plotësojë kriteret e kërkuara.
Ky zhvillim pritet të lehtësojë udhëtimet turistike mes dy vendeve dhe të forcojë më tej lidhjet ndërmjet Kosovës dhe Izraelit. Qytetarët e Kosovës inkurajohen të informohen mbi procedurën e aplikimit për ETA-IL për të shfrytëzuar mundësinë e re për të vizituar Izraelin.