Fundjava sjell shi dhe erë të lehtë, mos dilni pa çadër
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kësaj fundjave mbi vendin tonë do të mbretërojë mot i vranët, me reshje shiu të herëpashershme në disa zona.
Të shtunën, temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 4-6 gradë Celsius, ndërsa maksimalet parashikohen të arrijnë 10-13 gradë Celsius. Era do të fryjë nga veriperëndimi, me intensitet të lehtë deri mesatar.
Të dielën, moti pritet të jetë kryesisht i vranët, me riga shiu në vende të ndryshme të Kosovës. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 5-7 gradë Celsius, ndërsa maksimalet pritet të jenë 11-14 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1 deri në 5 metra për sekondë.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës paralajmëron qytetarët të marrin masat e nevojshme për të qëndruar të sigurt gjatë kushteve të lagështa dhe rrugëve të rrëshqitshme.