Fluks i madh për aplikim për dokumente, ARC zgjat orarin e punës| VIDEO

15.04.2024

Liberalizmi i vizave ka bërë që të rritet numri i qytetarëve të Kosovës, për tu pajisur me pasaportë të Republikës së Kosovës.

Fluks i madh për aplikim për dokumente, ARC zgjat orarin e punës| VIDEO Foto: Ilustrim

Së fundi nëpër qendra e regjistrimit ku bëhet aplikimi për pasaportë duhet pritur disa orë për të aplikuar për dokument. Për shkak të numrit të radhë të qytetarëve, ARC ka marrë vendim të zgjatë orarin e punës.

Zëvendësuesi i Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Regjistrim Civil, Blerim Camaj, tha për RTKlive se deri më 12 prill për tu pajisur me pasaportë aplikuan 177.088 qytetarë të Kosovës .

Camaj po ashtu tha se ARC do të punojë edhe të shtunave deri në orën 16:00. 

“Për shkak të fluksit të madh të qytetarëve për tu pajisur me dokumente, kemi marrë vendim të zgjasim orarin e punës. Prej të martës do të punojmë deri në orën 18:00 , të shtunave deri në orën 16:00. Po ashtu me të njëjtin orar do të punoj edhe departamenti i prodhimit të dokumenteve”, tha Camaj.

Pas liberalizimit të vizave, pasaporta e Kosovës është fuqizuar në radhitjen botërore. Nga vendi i 91-të që ishte deri dje në ranglistën botërore, sipas indeksit të pasaportave, tani pasaporta kosovare është e 55-ta në botë për nga fuqia e saj.

Me pasaportën e Kosovës, pa vizë mund të udhëtohet në 50 shtete, në 41 të tjera viza mund të merret pas mbërritjes e për 107 shtete, nevojitet vizë.

Në kontinentin evropian, pasaporta e Kosovës është më e fuqishme sesa ajo e Armenisë dhe Azerbajxhanit, por prapa atyre të Ballkanit Perëndimor.

Në rang evropian, pasaportat më të fuqishme janë ato të Gjermanisë, Spanjës, Francës, Italisë e Holandës, në rang global, pasaporta më e fuqishme është ajo e Emirateve të Bashkuara Arabe.

https://www.facebook.com/rtklivecom/videos/1613753179458411