Rritet fuqia e pasaportës së Kosovës – ngjitet në vendin e 65-të në renditjen globale

15.10.2025

Pasaporta e Kosovës ka shënuar përparim të ndjeshëm në renditjen ndërkombëtare të pasaportave, sipas Indeksit të Pasaportave të Henley, i cili përfshin 199 vende të botës.

Në edicionin më të fundit të këtij indeksi, pasaporta kosovare është renditur në vendin e 65-të, duke u bërë e vlefshme për udhëtim pa vizë paraprake në 81 destinacione, përfshirë edhe zonën Shengen – një hap historik për qytetarët e Kosovës.

Ky përparim është domethënës, duke pasur parasysh që në vitin 2021, pasaporta e Kosovës ishte renditur në vendin e 108-të, me shumë më pak akses ndërkombëtar për udhëtim pa viza.

Indeksi i Pasaportave të Henley përpilohet bazuar në të dhënat zyrtare nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) dhe vlerëson fuqinë e pasaportave sipas numrit të vendeve që mund të vizitohen pa vizë ose me vizë në hyrje.

Rritja e rangut të pasaportës së Kosovës vjen pas liberalizimit të vizave me Bashkimin Evropian, i cili hyri në fuqi në fillim të vitit 2024, dhe reflekton përmirësimet në lëvizshmërinë ndërkombëtare të qytetarëve të saj.