EULEX-it i zgjatet mandati edhe për dy vite
Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) i është zgjatur zyrtarisht mandati edhe për dy vite të tjera, duke siguruar vazhdimësinë e punës së tij deri më 14 qershor 2027.
Vendimi u mor të martën nga Këshilli i BE-së, vetëm pak ditë para skadimit të mandatit aktual, më 14 qershor 2025.
Në dokumentin zyrtar theksohet se zgjatja e mandatit bëhet në kuadër të një shqyrtimi strategjik të misionit. “Në kuadër të shqyrtimit strategjik të EULEX KOSOVO, Komiteti Politik dhe i Sigurisë ra dakord që Mandati i Misionit të zgjatet deri më 14 qershor 2027,” thuhet në vendim.
Gjithashtu, theksohet se “asgjë në këtë Vendim nuk duhet të kuptohet si cenim i pavarësisë dhe autonomisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve që veprojnë në kuadër të procedurave gjyqësore në kontekstin e EULEX KOSOVO.”
Për zbatimin e këtij mandati të ri, Bashkimi Evropian ka ndarë një shumë të konsiderueshme prej 170,866,980 euro, e cila do të mbulojë shpenzimet për periudhën nga 15 qershori 2025 deri më 14 qershor 2027.
Misioni EULEX është aktiv në Kosovë që nga viti 2008 dhe aktualisht udhëhiqet nga Giovanni Pietro Barbano. EULEX vazhdon të mbajë edhe funksione ekzekutive të kufizuara, duke luajtur një rol mbështetës në forcimin e institucioneve të sundimit të ligjit në Kosovë.