Elezi: Më 12 tetor votimi jashtë vendit vetëm përmes postës, jo në përfaqësi diplomatike

17.06.2025

Ndryshe nga zgjedhjet e përgjithshme, ku shtetasit e Kosovës jashtë vendit kishin mundësi të votonin edhe në përfaqësi diplomatike, në zgjedhjet lokale të 12 tetorit një opsion i tillë nuk do të jetë i mundur.

Mërgata do të mund të ushtrojë të drejtën e saj për të votuar për kryetar komune dhe kuvende komunale vetëm përmes postës.

Këtë ndryshim e ka sqaruar zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valmir Elezi, gjatë një interviste për magazinën “Info Plus” në RTK. Sipas tij, ky është rezultat i ndryshimeve ligjore të dala nga reforma zgjedhore.

“Risi në këtë proces zgjedhor, e cila vjen nga ndryshimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, ka të bëjë me aspektin organizativ të votimit jashtë Kosovës. Këtë herë, për zgjedhjet lokale, votimi do të bëhet vetëm përmes postës. Ligji e specifikon qartë se votimi në përfaqësi diplomatike nuk aplikohet në këto zgjedhje”, theksoi Elezi.

Ai shtoi se KQZ-ja do të hapë kuti postare në shtete të ndryshme për të lehtësuar procesin. Një tjetër ndryshim krahasuar me zgjedhjet e kaluara është se votuesit nuk do të mund të shkarkojnë më fletëvotimet online. Në vend të kësaj, ata do të marrin një pako me fletëvotime të dërguar nga KQZ-ja.

“Kostoja e dërgimit të pakos do të mbulohet nga KQZ-ja, sipas Rregullores për Votimin Jashtë Kosovës. Ndërsa kthimi i pakos me votën do të mbulohet nga vetë votuesi, dhe pritet të jetë një kosto minimale”, sqaroi Elezi.

Periudha e regjistrimit për votuesit jashtë vendit do të jetë nga 23 korriku deri më 29 gusht. Elezi theksoi rëndësinë që mërgimtarët të regjistrohen në kohë për të përfituar nga kjo mundësi votimi.

Në lidhje me mënyrën e votimit, Elezi rikujtoi se votimi për kryetar komune dhe për kuvend komunal janë procese të ndara, dhe votuesit kanë të drejtë të zgjedhin kandidatë nga subjekte të ndryshme politike për secilën garë.

Në dallim nga zgjedhjet e përgjithshme ku votuesit mund të votonin deri në 10 kandidatë për deputet, në zgjedhjet lokale për kuvendet komunale ata mund të votojnë vetëm për një kandidat dhe një subjekt politik.

Për subjektet politike, afati për dorëzimin e listave të kandidatëve është nga 26 qershori deri më 13 gusht. Të gjithë kandidatët do t’i nënshtrohen verifikimit nga institucionet përkatëse para certifikimit.

Ky proces zgjedhor shënon një qasje të re në organizimin e votimit jashtë vendit, me theks të veçantë në rritjen e efikasitetit dhe transparencës, por gjithashtu kërkon më shumë përgatitje dhe angazhim nga votuesit jashtë Kosovës.