Ekzekutohen pagat me rritje prej 55 euro për mbi 84 mijë shërbyes publikë

31.07.2025

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka njoftuar se sot janë ekzekutuar pagat me rritje prej +55 euro për gjithsej 84,230 shërbyes publikë në organizatat buxhetore të Republikës së Kosovës.

Kjo rritje paraqet fazën e dytë të rritjes vjetore të premtuar prej gjithsej 110 euro, e cila është ndarë në dy pjesë: +55 euro që janë zbatuar që nga janari 2025 dhe pjesa tjetër prej +55 euro nga korriku i këtij viti.

Nga Ministria është theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e politikave që synojnë përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve dhe forcimin e kapaciteteve të sektorit publik.

Rritja e pagave konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt motivimit dhe vlerësimit të kontributit të shërbyesve publikë në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve të vendit.