Eksporti dhe importi në Kosovë, këto janë statistikat për muajin nëntor të vitit 2022

23.12.2022

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2022. Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të larët për (11.2%) në muajin nëntor 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021, gjegjësisht […]

Eksporti dhe importi në Kosovë, këto janë statistikat për muajin nëntor të vitit 2022 Foto: Ilustrim

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin nëntor 2022.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të larët për (11.2%) në muajin nëntor 2022, në raport me periudhën e njëjtët të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 401.4 milion Eurosh, krahasuar me deficitin prej 361.1 milion Eurosh në vitin 2021.

Eksporti mbulon importin me 15.6%.

Eksporti i mallrave në muajin nëntor 2022 kishte vlerën 73.9 milion euro, ndërsa importi 475,4 milion euro, që është një rritje prej 4.6% për eksport dhe 10.1% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 21.9% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 18.1% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 15.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 9.9% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 5.2% e përbëjnë produktet minerale; 4.9% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike;  4.6% e përbëjnë produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 18.4% e përbëjnë produktet minerale; 12.3% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 10.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.4% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.1% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; 6.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 25.5 milion euro, ose rreth 34.5% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 32.3%.

Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (11.9%), Italia (5.7%), Holanda (4.0%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 204.8 milion euro, ose 43.1% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 7.8%.

Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (11.5%), Italia (7.5%), Greqia (4.3%), Sllovenia (3.5%), etj.

Në muajin nëntor 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 26.2 milion euro, ose 35.5% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 6.6%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Maqedonia e Veriut (12.7%), Shqipëria (10.6%), Serbia (6.5) dhe Mali i Zi (4.6%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s, në muajin nëntor 2022, arritën në 86.4 milion euro, ose 18.2% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 1.5%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (6.6%), Maqedonia e Veriut (5.0%) dhe Shqipëria (4.7%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 22.1 milion euro, ose 30.0%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (12.5%), dhe Zvicra (9.8%).

Ndërsa, importet e Kosovës me vendet tjera të botës arritën në 184.0 milion euro, ose 38.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (19.3%) dhe Kina (8.7%).