Dogana e Kosovës konfiskon sasi të konsiderueshme cigaresh në Aeroportin e Prishtinës

07.04.2025

Një shtetas shqiptar është ndaluar në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” pasi u kap me një sasi të konsiderueshme cigaresh të padeklaruara.

Sipas njoftimit të Doganës së Kosovës, incidenti ndodhi më 6 prill 2025, rreth orës 10:30, gjatë kontrollit doganor në dalje të aeroportit.

Udhëtari, i cili po përgatitej të udhëtonte me fluturimin Prishtinë-Londër, u ndalua për kontroll të bagazheve. Gjatë skanimit të bagazheve, zyrtarët doganorë zbuluan një sasi të madhe cigaresh me banderola të Shqipërisë dhe Kosovës, të cilat nuk ishin deklaruar.

Në total, u konfiskuan 28,800 copë cigare, që korrespondojnë me 144 boksa. Dogana e Kosovës ka konfiskuar mallin dhe po e trajton rastin si kundërvajtje doganore, në përputhje me procedurat ligjore.