Dita e tretë, Qeveria e Kosovës e vendosur ta zbatojë reciprocitetin për targat

22.09.2021

Veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve. Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha […]

Dita e tretë, Qeveria e Kosovës e vendosur ta zbatojë reciprocitetin për targat Foto: Ilustrim

Veprimet kanë për qëllim zbatimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë- konkretisht targave të automjeteve.

Me këtë rast, MPB-ja, me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë të qytetarëve edhe pas skadimit të marrëveshjes së 14 shtatorit të vitit 2014, ka nxjerrë vendim që aranzhon dhe obligon pajisjen me targa të përkohshme për të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, në të gjitha pikat e kalimit kufitar.

Dhe njëkohësisht ka ndërmarrë të gjitha masat e domosdoshme për të reduktuar në maksimum pritjet në pikat kufitare.

“Njoftojmë opinionin se nga data 15 shtator nuk ka në qarkullim asnjë veturë të pajisur me targa valide “KS” dhe rrjedhimisht targat e vetme ligjore dhe me afat të lëshuara nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme janë ato me denominimin “RKS”. Situata është e qetë. Policia e Kosovës i ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme operative dhe logjistike që të mos pengojnë dhe vonojnë lëvizjen e njerëzve dhe të mallrave” ka bërë të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

Kështu sot bëhen tri ditë që kur Kosova ka filluar zbatimin e kësaj mase të reciprocitetit, ku si rrjedhojë e kësaj, dy rrugë që lidhin Kosovën dhe Serbinë kanë mbetur të bllokuar nga serbë lokalë, që po e kundërshtojnë këtë masë duke protestuar.

Ndërsa lidhur me këtë situatë të shkuaktuar në veri të Republikës së Kosovës, kryeministri i vendit, Albin Kurti, gjatë ditës së djeshme është takuar me ambasadorët e QUINT-it.

Sipas njoftimit të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, Kurti ka theksuar se në Jarinjë dhe Bërnjak qytetarët serbë po vazhdojnë t’i bllokojnë rrugët dhe se njësitë speciale të Policisë së Kosovës sipas tij janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, tha Kurti.

Gjithashtu kanë theksuar ambasadorët dhe kryeministri Kurti u pajtuan që duhet ruajtuar paqen dhe qetësinë, stabilitetin si dhe sigurinë, po ashtu duhet që dialogu të vazhdojë e situata duhet të de-eskalojë.

Qytetarët serbë kanë vazhduar protestën edhe gjatë të martës, derisa situata vazhdon të jetë e qetë.