“Dështimi” i Haxhiut dhe thirrjet për zgjedhje të reja, Kosova në udhëkryq politik!
Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e cila u hap të shtunën me verifikimin e mandateve dhe betimin e deputetëve të rinj, ka nxjerrë në pah një situatë të brishtë politike.
Lëvizja Vetëvendosje, si partia fituese e zgjedhjeve, dështoi të sigurojë votat e nevojshme për të zgjedhur Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit. Në dy raundet e votimit, Haxhiu mori vetëm 57 vota, duke mos arritur kuorumin e nevojshëm.
Ky dështim ka shkaktuar një bllokadë në funksionimin e Kuvendit, duke shtyrë kryesuesin e seancës, Avni Dehari, të ndërpresë seancën dhe të caktojë vazhdimin e saj për të hënën.
Në këtë situatë, opozita ka filluar të bëjë thirrje për zgjedhje të reja. Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka deklaruar se Albin Kurti nuk i ka numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë dhe ka propozuar dy data potenciale për zgjedhjet e jashtëzakonshme: 15 ose 22 qershor.
“Nëse duan të shkojnë në zgjedhje me 15 qershor, jemi gati. Ose me 22 qershor. Por nuk i kanë numrat dhe nuk janë të gatshëm të shkojnë në zgjedhje. Unë dhe PDK-ja jemi të gatshëm, vetëm të shkojmë në Kuvend njëherë dhe pastaj në zgjedhje,” ka thënë Krasniqi.
Propozimi i PDK-së për datën 15 qershor është mirëpritur nga disa figura politike, përfshirë edhe ministrin në detyrë, Faton Peci. Ai ka theksuar se kjo datë nuk është një propozim i keq.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, ka propozuar një rrugë tjetër për zgjidhjen e kësaj situate. Ai ka sugjeruar që opozita të votojë fillimisht kandidaten për kryetare të Kuvendit, siç e parasheh Kushtetuta, dhe më pas të arrihet një marrëveshje e shkruar midis të gjitha partive politike për shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të reja.