Çmimet shkojnë në “qiell”, këto produkte u shtrenjtuan së fundmi në Kosovë

11.12.2025

Indeksi i tërësishëm i harmonizuar i çmimeve të konsumit në Kosovë është rritur në një mesatare prej 5,3 për qind në muajin nëntor 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, ndërsa inflacioni mujor arriti në 0,4 për qind krahasuar me muajin tetor.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, ngritje të ndjeshme të çmimeve gjatë kësaj periudhe kanë pësuar pemët, energjia elektrike, bileta të fluturimeve, mirëmbajtje dhe riparim i pajisjeve personale të transportit, kafe, çaj dhe kakao, mishi, pushime të organizuara, qumështi, djathi dhe vezët, si dhe lëndë djegëse të ngurta, dru zjarri dhe pelet.

Rritje më të vogla janë regjistruar edhe tek shërbimet ambulantore, shërbimet hoteliere, pajisjet terapeutike, duhani, kujdesi personal, vajrat dhe yndyrnat, bukë dhe drithëra, vegla dhe pajisje për shtëpi dhe kopsht, si dhe sheqer, reçel, mjaltë, çokollatë dhe ëmbëlsira.

Nga ana tjetër, rënie çmimesh është vërejtur tek karburantet dhe lubrifikantët për pajisjet e transportit personal, si dhe tek blerja e automjeteve.

Sipas ASK-së, rritja e çmimeve gjatë këtij muaji ka qenë e përqendruar kryesisht tek shërbimet e tjera në lidhje me pajisjet personale të transportit, qumështi, djathi dhe vezët, perimet, energjia elektrike, karburantet dhe lubrifikantët, mishi, kujdesi personal, kafe, çaj dhe kakao, si dhe blerja e automjeteve. Ndërsa, disa kategori si bileta të fluturimeve dhe pushime të organizuara kanë shënuar rënie, duke ndikuar në një efekt të përbashkët prej 0,2 për qind në indeksin e harmonizuar të çmimeve.

Kjo situatë reflekton ndikimin e vazhdueshëm të rritjes së çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe shërbimeve të transportit në konsumatorët kosovarë.

Agjencia e Statistikave të Kosovës thekson se grupet me rritjen më të madhe të çmimeve ndikojnë në mënyrë të drejtpërdrejtë në indeksin e harmonizuar të çmimeve të konsumit, duke pasqyruar tendencat inflacioniste të këtij viti dhe sfidat me të cilat përballen familjet kosovare në mbulimin e shpenzimeve të përditshme.