Çmimet e prodhimit u rritën me 11.3% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024
Agjencia e Statistikave të Kosovës ka publikuar të dhënat e fundit për Indeksin e Çmimeve të Prodhimit për tremujorin e dytë të vitit 2025.
Sipas raportit, çmimet e prodhimit në Kosovë kanë shënuar një rritje prej 4.1% krahasuar me tremujorin e parë të vitit, ndërsa në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024 rritja arrin në 11.3%.
Në rritjen tremujore kanë ndikuar dukshëm energjia elektrike, gazi, avulli dhe furnizimi me ajër të kondicionuar me një rritje prej 16.7%. Rritje të tjera janë shënuar edhe në shtypje dhe riprodhimin e mediave të incizuara me 9.3%, prodhimin e veshjeve me 6.7% dhe prodhimin e mjeteve motorike e rimorkiove me 4.2%. Sektorë të tjerë me rritje më të moderuar ishin prodhimi i artikujve prej druri, letrës, ushqimeve dhe pajisjeve elektrike. Nga ana tjetër, rënie u shënua tek prodhimi i metaleve me -4.7%, prodhimi i pijeve me -0.9% dhe disa aktivitete të tjera të industrisë përpunuese.
Në krahasimin vjetor, sektori që ka ndikuar më së shumti në rritje ishte ai i energjisë elektrike, gazit dhe furnizimit me avull e ajër të kondicionuar me një ngritje prej 39.7%. Përpunimi i produkteve farmaceutike u rrit me 14.2%, prodhimi i mobilieve me 13.0% dhe prodhimi i mjeteve motorike me 10.3%. Ndërsa rënie të ndjeshme pati nxjerrja e xehes së metalit me -17.2% dhe prodhimi i metaleve me -8.1%.
Indeksi i Çmimeve të Prodhimit është një tregues i rëndësishëm që mat ndryshimet e çmimeve të produkteve industriale dhe shërben edhe si deflator i Bruto Prodhimit Vendor. Ky indeks llogaritet çdo tremujor dhe mbështetet në të dhëna të mbledhura nga ndërmarrjet më përfaqësuese të sektorëve prodhues në vend. Baza e re e llogaritjes është vendosur në vitin 2021, ndërsa pesha specifike e sektorëve është rifreskuar me të dhënat e Administratës Tatimore të Kosovës për vitin 2024.