Mbrojtësi slloven i zhgënjyer: Tifozët kosovarë dominuan tribunat, shumë prej tyre jetojnë këtu dhe Sllovenia u siguron bukë
Ëndrra e futbollistëve sllovenë për të qenë pjesë e Kupës së Botës 2026 ka marrë fund. Në ndeshjen e parafundit kualifikuese të zhvilluar në “Stožice”, Sllovenia u mposht 0:2 nga Kosova dhe kështu humbi edhe shpresat teorike për të siguruar të paktën vendin e dytë në grup.
Foto: Ilustrim
Përfaqësuesja sllovene nuk u paraqit si një ekip që lufton për mbijetesë në garë, ndërsa goli i shpejtë i kosovarëve, i shënuar në minutën e 6-të nga Fisnik Asllani, duket se e goditi fuqishëm skuadrën e drejtuar nga Matjaž Kek. Në tribunat e stadiumit, mijëra tifozë shqiptarë krijuan atmosferë të zjarrtë dhe shpesh mbizotëruan akustikisht vendasit. Pjesa e parë, e zbehtë dhe pa karakter nga ana e sllovenëve, ishte pasqyrë e një ekipi që nuk e gjeti dot veten në asnjë moment.
As në rifillimin e lojës nuk pati ndryshim. Përkundrazi, situata u përkeqësua kur zëvendësuesi Petar Stojanović u ndëshkua me dy kartonë të verdhë brenda vetëm tetë minutash, duke i lënë vendasit me dhjetë lojtarë që nga minuta e 53-të. Sllovenia nuk gjeti më mënyra për të reaguar dhe gjithçka u vulos në minutën e 64-të me një autogol të çuditshëm të Žan Karničnik, që me një hark të lartë e dërgoi topin mbi portierin Jan Oblak dhe në rrjetë. Më pas, portieri slloven parandaloi edhe disa mundësi të tjera të Kosovës, duke shmangur një humbje edhe më të thellë.
Statistikat e pjesës së parë treguan qartë epërsinë e Kosovës: 8:5 në goditje drejt portës dhe 3:1 në kuadrat. Sulmuesit kosovarë shpesh e vunë në presion mbrojtjen vendase, sidomos Asllani, i cili me lëvizjet e tij i vuri në vështirësi Bijolin dhe Drkušićin. Sllovenia krijoi pak dhe rrezikoi edhe më pak, ndërsa portieri Amir Saipi ndali me vështirësi goditjen e Tomi Horvat në minutën e 30-të – një nga rastet e rralla të vendasve.
Në kampin slloven pati mungesa të rëndësishme si Benjamin Šeško dhe Adam Gnezda Čerin, por edhe me formacionin e përbërë nga Gorenc Stanković, Horvat, Šporar dhe Vipotnik, vendasit nuk e treguan kurrë ambicien që kërkon një ndeshje vendimtare. Fushata e tyre kualifikuese tashmë përmblidhet me tre barazime dhe dy humbje, pa asnjë fitore. Rezultatet e deritanishme, përfshirë barazimet pa gola kundër Kosovës dhe Zvicrës, dhe humbjen 3:0 nga helvetikët, e lënë Slloveninë pa asnjë shans për të diskutuar më shumë.
Zvicra pritet të sigurojë vendin e parë dhe kualifikimin e drejtpërdrejtë, ndërsa vendi i dytë në grup, që dërgon në ndeshje shtesë, i takon Kosovës, e cila pas triumfit në Lubjanë është futur bindshëm në garë për Kupën e Botës 2026.
Pas ndeshjes, zhgënjimi te futbollistët sllovenë ishte i madh. Mbrojtësi Jaka Bijol foli për atmosferën në stadium, duke theksuar vërshëllimat gjatë himnit kombëtar slloven dhe dominimin e tifozëve të Kosovës në tribuna: “Është e vështirë të gjesh fjalë. Tifozët e tyre ishin në numër të madh, shumë prej tyre jetojnë këtu dhe Sllovenia u siguron bukë, por do të duhej më shumë respekt.” Edhe Vanja Drkušić, i dëshpëruar ndërsa dëgjonte boritë e makinave të tifozëve të Kosovës që festonin jashtë stadiumit, pranoi se kundërshtari ishte më i fortë: “Kosova ishte thjesht më e mirë.” Tomi Horvat kritikoi edhe vendimin për ndëshkimin e Stojanovićit, duke e cilësuar kartonin e parë si të tepruar, ndërsa shtoi se atmosfera në stadium nuk ishte ajo e një ndeshjeje vendimtare: “Mendoj se në tribuna kishte më shumë kosovarë sesa sllovenë.”
Kështu, Sllovenia mbyll një natë të zymtë dhe pa pikë shprese, ndërsa Kosova e sheh veten më afër se kurrë drejt ëndrrës historike të një kualifikimi në Kupën e Botës.