Çka u tha për sulmin terrorist të Banjskës në Samitin e Procesit të Berlinit

17.10.2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, gjatë ditës së djeshme ka folur edhe për situatën në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit. Kurti gjatë fjalës së tij tha se Kosova vazhdon të kërcënohet me invazion nga shteti serb. Kryeministri tha se akti i 24 shtatorit nuk mund […]

Çka u tha për sulmin terrorist të Banjskës në Samitin e Procesit të Berlinit Foto: Ilustrim

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Samitin e Procesit të Berlinit në Tiranë, gjatë ditës së djeshme ka folur edhe për situatën në Kosovë, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit.

Kurti gjatë fjalës së tij tha se Kosova vazhdon të kërcënohet me invazion nga shteti serb. Kryeministri tha se akti i 24 shtatorit nuk mund dhe nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar.

“Në një sulm terrorist kundër Kosovës më 24 shtator, një nga zyrtarët tanë policorë u vra, por autorët akoma enden të lirë në Serbi edhe pse publikisht e pranuan përfshirjen e tyre. Ky ishte një akt i ligë sponsorizuar nga Serbia, siç tregojnë provat e pakundërshtueshme. Ne kemi konfiskuar mbi 5 milionë euro armatim të sofistikuar dhe municione të prodhuara në Kragujevc dhe Çaçak. Katër herë në dy vitet e fundit Serbia ka sjellë ushtrinë e saj në kufirin tonë. Edhe njëzet e pesë vite pas fushatës gjenocidale, dhe pas kaq shumë raundeve të dialogut, Kosova ende kërcënohet me invazion nga Serbia. Ky moment na kërkon të reflektojmë dhe të mos e vazhdojmë punën si zakonisht. Një akt i tillë nuk duhet të kalojë pa u ndëshkuar”, ka thënë kryeministri Kurti.

Kurti shtoi se qytetarët në Ballkanin Perëndimor sot nuk duhet të jetojnë nën frikën e një konflikti nesër, por të punojnë për një të ardhme së bashku.

“Ne si udhëheqës të tyre kemi përgjegjësinë për të ndërtuar atë të ardhme të përbashkët. Dhe si udhëheqës, ne duhet të përfshihemi në atë proces me mirëbesim. Kërkohet një angazhim me mirëbesim për të garantuar efektivitetin afatgjatë të marrëveshjeve tona dhe respektimin e të gjitha palëve të investuara në proces. Vitin e kaluar, ne nënshkruam tre marrëveshje mobiliteti, një hap i rëndësishëm drejt rezultateve të prekshme. Përderisa që e vlerësoj progresin, ai do mund të ishte edhe më i shpejtë. Fatkeqësisht, mospërfillja e një marrëveshjeje kyçe për lirinë e lëvizjes nga ana e Bosnjës dhe Hercegovinës do të thotë se vazhdon kushti për viza ndërmjet Kosovës dhe Bosnjës. E mirëpres marrëveshjen e re për profesionet e reja për infermierët, kirurgët veterinarë, mamitë dhe farmacistët, dhe mirëpres marrëveshjet e ardhshme që zgjerojnë edhe më tej gamën e profesioneve të përfshira”, tha kryeministri kosovar.

Gjatë qëndrimit në Tiranë në kuadër të ​samitit të Procesit të Berlinit, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pati takim bilateral me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz.

Kryeministri Kurti e falënderoi Kancelarin Scholz për rolin dhe mbështetjen e Gjermanisë Kosovës.

U bisedua për situatën e sigurisë pas sulmit terrorist ndaj Kosovës më 24 shtator, ku Kryeministri Kurti theksoi se Kosova ka qenë nën kërcënimin e drejtpërdrejtë nga një sulm paraushtarak e terrorist i sponsorizuar nga Serbia.

Kurti theksoi se ecja përpara duhet ta ketë parasysh veprimin agresor të Serbisë, për të cilin ka dëshmi e fakte të mjaftueshme të përfshirjes së tyre.

Ndërkaq, kancelari gjerman Olaf Scholz në përfundim samitit të Procesit të Berlinit në Tiranë e ka dënuar, siç ka thënë ai, në mënyrë më të ashpër sulmin terrorist në Banjskë të 24 shtatorit ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.

Ai ka thënë se më këtë ka marrë një goditje të rëndë rajoni.

“Morëm një goditje në rajon. Para disa javëve policët e Kosovës u sulmuan në mënyrë brutale, dhe një polic u vra. E dënojmë në mënyrë më të ashpër këtë gjë”, tha Scholz, ka raportuar RTK.

Ai po ashtu tha se edhe në Samitin e Tiranës e ka bërë të qartë edhe njëherë se duhet të ketë bashkëpunim rajonal dhe të zgjidhen konfliktet e kaluara.

“Duhet përmirësim konkret e i prekshëm, duhen marrëveshje që lehtësojnë jetën e përditshme, që bashkojnë qytetarët, e që është me rëndësi, marrëveshje që rrisin besimin e ndërsjellë”, tha ai.

Sipas tij, procesi i Berlinit nga viti 2014 po kryen këtë detyrë.

Scholz ka folur në hollësi për marrëveshjen Kosovë -Serbi duke thënë se ajo bazohet në modelin e Gjermanisë kur ky shtet ishte i ndarë.

“Mendoj se deri tash janë arritur mjaftë shumë marrëveshje. Herën e fundit mendoj se ka pasur një marrëveshje e bazuar në kritere të bashkëpunimit themelor që është mjaftë e ngjashme në eksperiencën e Gjermanisë kur ishte e ndarë, por që ndihmoi që njerëzit, bizneset ta kenë jetën më të lehtë dhe për të gjitha gjërat që janë praktike për jetën e përditshme. Mendoj se këtë duhet të zgjedhim tani dhe shansi është aty tani që ta marrim këtë dhe ne po punojmë për këtë” ka theksuar Kancelari.

Tutje, Scholz ka theksuar se Berlini, Brukseli, Parisi, Roma dhe Uashingtoni kanë vullnet të fortë për ta zgjidhur konfliktin Kosovë -Serbi.

“Më lejoni t’ju siguroj se është një vullnet strikt i qeverisë time, BE’së i francezëve, italianëve, qeverisë së SHBA’së për ta zgjidhur këtë konflikt dhe për ta hapur rrugën për një të ardhme më të mirë për dy shtetet, të dyja si anëtarë të BE’së” ka thënë Scholz.

Gjatë ditës së djeshme, Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka bërë të ditur se ka takuar sekretarin edhe Jashtëm britanik, James Cleverly.

Kreu i ekzekutivit përmes një postimi të bërë në plaftormën “X” ka thënë se me të kanë biseduar për situatën aktuale me të cilën po përballet Kosova.

Tutje ai ka shkruar se sekretarit Cleverly ia ka theksuar nevojën që të mbajtur Serbinë përgjegjëse për sulmin terrorist të 24 shtatorit në Banjskë.

“Diskutuam situatën aktuale me të cilën përballet Kosova. Theksova nevojën për të mbajtur Serbinë përgjegjëse për sulmin terrorist dhe shkeljet e tjera dhe theksova rëndësinë e mbështetjes së sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Kryeministri Kurti në “X”.