Brenda këtij viti mbi 50 mijë € të falsifikuara në Kosovë, 100, 50 dhe 20€ kartëmonedhat më të falsifikuara

03.12.2021

Paratë, jo gjithmonë, por pothuajse çdo herë janë të rëndësishme për njerzit, të cilët i përdorin ato për nevojat e tyre, qofshin ato elementare, të nevojshme, të obligueshme apo edhe raste të tjera. Mirëpo në shumë raste, njerzit me apo pa vetëdije fusin në qarkullim dhe deponojnë para të falsifikuara në vende të ndryshme, dukuri […]

Brenda këtij viti mbi 50 mijë € të falsifikuara në Kosovë, 100, 50 dhe 20€ kartëmonedhat më të falsifikuara Foto: Ilustrim

Paratë, jo gjithmonë, por pothuajse çdo herë janë të rëndësishme për njerzit, të cilët i përdorin ato për nevojat e tyre, qofshin ato elementare, të nevojshme, të obligueshme apo edhe raste të tjera.

Mirëpo në shumë raste, njerzit me apo pa vetëdije fusin në qarkullim dhe deponojnë para të falsifikuara në vende të ndryshme, dukuri kjo e cila është mjaft shqetësuese për shoqërinë.

Kushtrim Ahmeti, zëdhënës i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), ka thënë se vlera e parave të falsifikuar në tregun e Kosovës deri në muajin qershor të këtij viti është mbi 50 mijë euro.

Ai ka thënë se duke u bazuar në raportet e Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, deri më 30 qershor të vitit 2021 janë identifikuar një numër prej 375 kartëmonedhash dhe 6,054 monedhash të falsfikuara.

“Gjithnjë duke u bazuar në raportet e fundit të pranuara nga Agjencia e Kosovës për Forenzikë, deri më 30 qershor të vitit 2021 janë identifikuar një numër prej 375 kartëmonedhash dhe 6,054 monedhash të falsifikuara në shumë të përgjithshme prej 50,711.5€. Pjesa më e madhe e këtyre kartëmonedhave dhe monedhave janë konfiskuar nga institucionet financiare gjatë aktivitetit të tyre të rregullt dhe të njëjtat janë tërhequr nga qarkullimi”, ka thë Ahmeti për FrontOnline.

Po ashtu, sipas tij kartëmonedhat më të falsifikuara në vitin 2021 janë 100, 50 dhe 20 euro.

Këto kartëmonedha përbënin rreth 84 përqind të të gjitha kartëmonedhave të falsifikuara të tërhequra nga qarkullimi.

Ai ka thënë se ashtu sikurse edhe vitet e kaluara monedha më e falsifikuar ishte ajo në prerje prej 2€, e cila përbënte rreth 90 përqind të gjithë numrit të monedhave të falsifikuara të tërhequra nga qarkullimi.