Borrell ua dorëzon vendeve të BE-së raportin për masat ndaj Kosovës

18.06.2024

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell ua ka dorëzuar sot vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, raportin lidhur me masat ndëshkuese që i janë vënë Kosovës tash e një vit.

Borrell ua dorëzon vendeve të BE-së raportin për masat ndaj Kosovës Foto: European Union High Representative for Foreign Affairs and Security Policy Josep Borrell speaks during a debate on the humanitarian situation in Gaza, at the European Parliament in Strasbourg, eastern France on November 22, 2023. (Photo by FREDERICK FLORIN / AFP) (Photo by FREDERICK FLORIN/AFP via Getty Images)

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

“Raporti i Përfaqësuesit të Lartë u është dorëzuar Shteteve Anëtare. Ata tani do të kenë një diskutim për masat ndaj Kosovës në bazë të këtij raporti. Raporti është i brendshëm dhe i bërë për shtetet anëtare, kështu që ne nuk do të diskutojmë përmbajtjen e tij në publik”, tha Stano.

Ndryshe javën e kaluar zëvendëskryeministri Besnik Bislimi kishte deklaruar se ka informacione se raporti i Josep Borrellit do të jetë pozitiv dhe do të rekomandohet heqja e masave.

“Besojmë se do të dërgohet për aprovim në Këshill gjatë javës së ardhshme. Përmbajtja e raportit me aq sa e di unë është pozitive dhe aty do të rekomandohet heqja e masave”, ishte shprehur Bislimi.

Bashkimi Evropian i kishte vendosur masa ndëshkuese Kosovës më 28 qershor të vitit të kaluar.

Masat e vendosura nga BE-ja ndaj Kosovës përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mos ftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024.

Pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

A e dini çka është KODI 95?
Voto