BE-ja i kërkon sërish Serbisë të sjellë para drejtësisë përgjegjësit për sulmin në Banjskë
Bashkimi Evropian (BE) i ka përsëritur Serbisë kërkesën për të ndërmarrë hapa konkretë dhe të menjëhershëm për t’i sjellë para drejtësisë përgjegjësit e sulmit vdekjeprurës në Banjskë, që ndodhi në shtator të vitit 2023.
Një zëdhënës i BE-së deklaroi të premten se blloku ka marrë parasysh paralajmërimin e Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd për nisjen e hetimeve në këtë rast, por theksoi se Serbia ka detyrimin të bashkëpunojë plotësisht me drejtësinë për këtë çështje.
Më 24 shtator 2023, një grup i armatosur serb sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin Banjskë të Zveçanit, duke shkaktuar vdekjen e një polici kosovar dhe tre sulmuesve serbë në përplasjen që pasoi. Kosova akuzon Serbinë për përfshirje në këtë akt, ndërsa Beogradi mohon çdo lidhje me incidentin.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, e cila gëzon mbështetjen e Serbisë. Në shtator 2024, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë ndaj 45 personave, përfshirë Radoiçiqin, për këtë sulm.
Serbia refuzon ekstradimin e Radoiçiqit në Kosovë, duke insistuar se ai do të gjykohet nga gjykatat serbe, ndërkohë që autoritetet kosovare pretendojnë se ai po mbrohet nga Beogradi. Kryeprokurori serb Nenad Stefanoviq kishte deklaruar se aktakuza ndaj Radoiçiqit pritet të ngritet në fillim të vitit 2025.
Në Serbi, Radoiçiq është i dyshuar edhe për vepra të tjera penale, përfshirë “krime të rënda kundër sigurisë së përgjithshme” dhe “trafik të paligjshëm të armëve”.
BE-ja ka bërë të qartë se përparimi i Serbisë në rrugën e anëtarësimit në bllok do të varet edhe nga progresi në normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën dhe forcimi i sundimit të ligjit. Në dhjetor 2024, disa shtete anëtare të BE-së kundërshtuan hapjen e kapitujve të rinj në negociatat me Serbinë, duke përmendur mungesën e rezultateve në sjelljen para drejtësisë të autorëve të sulmit në Banjskë.