Bashkëpunimi Institucional Çelësi i Qëndrueshmërisë Kombëtare në Kosovë
Në konferencën e Ministrisë së Mbrojtjes të Kosovës me temën “Qëndrueshmëria Kombëtare – Sfidat dhe Rruga Përpara”, liderët shtetërorë theksuan rëndësinë e institucioneve të sinkronizuara dhe të gatshme për t`u përballur me çdo situatë e krizë në vend.
Presidentja Vjosa Osmani veçoi sulmet hibride si një sfidë të madhe për të cilën institucionet duhet të jenë të përgatitura dhe të investojnë në teknologji digjitale për t`u mbrojtur nga sulmet kibernetike. Ajo theksoi se qëndrueshmëria kombëtare është detyrim për gjeneratat e ardhshme.
Kryeministri Albin Kurti tha se janë bërë hapa të rëndësishëm për forcimin e qëndrueshmërisë kombëtare, duke përmendur draft konceptin që po miratohet në Qeveri. Ai shtoi se bota po përballet me sfida komplekse si ndryshimet klimatike, kërcënimet teknologjike dhe ato kundër sigurisë kombëtare e globale. Kurti tha se qëndrueshmëria është aftësia për të parashikuar, përballuar e rimëkëmbur nga çdo goditje. Ai përmendi reformat në sektorin e mbrojtjes dhe sigurisë, duke përmendur blerjet ushtarake, të cilat sipas tij, kanë rritur gatishmërinë për mbrojtjen e integritetit të vendit.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci tha se kjo konferencë ka për qëllim forcimin e bashkëpunimit, duke bërë bashkë strategji inovative dhe të ndarë praktikat më të mira. Ai shtoi se diskutimi gjatë kësaj konference do të përmirësojë e pasurojë qëndrueshmërinë kombëtare. Maqedonci tha se në një botë gjithnjë e më të ndërlikuar, qëndrueshmëria është domosdoshmëri dhe se ajo përkufizohet jo vetëm si aftësia për t`u përballur me tronditjet dhe kërcënimet, por mbi të gjitha si një kapacitet për të ruajtur funksionet jetike të shoqërisë, për të mbrojtur vlerat dhe për të siguruar që e ardhmja ndërtohet mbi themelet e forta.