ATK-ja detyron edhe qytetarët të bëjnë deklaratën tatimore për të ardhurat personale

21.02.2022

Sikurse bizneset, ashtu edhe qytetarët deri më 31 mars do të jenë të detyruar të bëjnë deklaratën tatimore mbi të ardhurat personale në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK). Përmes shtrirjes së bazës tatimore, ky institucion nga ky vit po synon që t’i shtojë të hyrat buxhetore për arkën e shtetit, pra baza tatimore do të […]

ATK-ja detyron edhe qytetarët të bëjnë deklaratën tatimore për të ardhurat personale Foto: SuharekaOnline

Sikurse bizneset, ashtu edhe qytetarët deri më 31 mars do të jenë të detyruar të bëjnë deklaratën tatimore mbi të ardhurat personale në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

Përmes shtrirjes së bazës tatimore, ky institucion nga ky vit po synon që t’i shtojë të hyrat buxhetore për arkën e shtetit, pra baza tatimore do të shtrihet edhe tek qytetarët të cilët realizojnë të ardhura individuale nga aktivitetet e ndryshme.

Ilir Murtezaj, drejtor i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), ka thënë se në kuadër të Ligjit për tatimin në të ardhurat personale, ku ka bërë të ditur se çdo qytetarë që realizon një të ardhur personale, është i detyruar të dorëzojë deklaratën tatimore deri më 31 mars të këtij viti.

Por nëse nuk bëhet deklarata tatimore deri me këtë datë, ndëshkimet për mosdeklarim janë të njëjta edhe për individin ashtu sikurse për bizneset.

Murtezaj thotë për KosovaPress, se ideja e këtij aktiviteti të ri është që ATK-ja ta shtrijë bazën tatimore edhe te qytetarët.

“Ne po e bëjmë publik një aktivitet që ne gjatë këtij viti, por edhe në vitet në vijim do të fokusohemi në drejtim të identifikimit të shmangies tatimore edhe te personat individual, do të thotë tek individi. Në këtë rast ne jemi duke e zhvilluar deklaratën tatimore për individin, që është e ngjashme me deklaratën e tatimit në të ardhura personale, duke përcaktuar disa ndryshime që identifikohen me individin.

Ideja e gjithë kësaj është që ne të shtrijmë bazën tatimore edhe te qytetarët të cilët realizojnë të ardhura nga aktivitet e ndryshme me burim brenda vendit apo jashtë vendit, por njëkohësisht edhe fitimet kapitale që mund të kenë realizuar në të kaluarën e që do të realizojnë edhe në vijim, atëherë duhet t’i përkujtojmë ata që duhet të paguajnë detyrimet tatimore mbi bazën e fitimeve që ata kanë realizuar”, thekson ai.