ASK sot publikon rezultatet e para përfundimtare të regjistrimit të popullsisë ReKos 2024
Sot, Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) do të bëjë publikimin e rezultateve të para përfundimtare të Regjistrimit të Popullsisë, Ekonomive Familjare dhe Banesave (ReKos 2024).
Me këtë rast, ASK-ja ka organizuar një konferencë që do të nisë nga ora 10:00. Konferenca do të mbledhë ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë për të diskutuar rëndësinë dhe përdorimin e rezultateve të regjistrimit.
Të dhënat e para përfundimtare përfshijnë:
- Numrin e popullsisë sipas gjinisë në nivel të komunave.
- Trendët më të fundit demografike që ndihmojnë në hartimin e politikave dhe planifikimin strategjik në sektorët kyç të zhvillimit.
Ky regjistrim, i realizuar nga 5 prilli deri më 24 maj 2024, përfaqëson një nga projektet më të mëdha dhe më të rëndësishme statistikore të realizuara në Kosovë. Procesi u zhvillua në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe përfshiu bashkëpunimin me institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë.
ASK-ja ka bërë të ditur se gjatë vitit 2025 do të publikohen edhe 25 raporte të tjera tematike, të cilat do të japin një pasqyrë më të detajuar mbi aspekte të ndryshme të jetës dhe zhvillimit socio-ekonomik në Kosovë, duke përfshirë arsimin, punësimin, shëndetësinë dhe infrastrukturën banesore.