ASK: Remitancat nga diaspora në vitin 2024 arrijnë 1.3 miliardë euro
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar Raportin “Vjetari Statistikor 2025”, i cili përmban të dhëna të rëndësishme mbi zhvillimet ekonomike e sociale në vend.
Të dhënat e raportuara janë bazuar në statistikat e Bankës Qendrore të Kosovës dhe institucioneve tjera relevante.
Sipas raportit, remitancat nga diaspora për vitin 2024 kanë arritur në shifrën e 1 miliardë e 350 milionë eurove. Kjo shifër tregon rëndësinë e madhe që diaspora vazhdon të ketë për ekonominë e vendit. Krahasimisht, në vitin 2014 remitancat ishin vetëm 622.3 milionë euro, ndërsa për herë të parë shifrën e 1 miliardë eurove e kaluan në vitin 2021.
Raporti evidenton edhe të dhënat mbi tregtinë e jashtme. Eksporti i mallrave nga Kosova në vitin 2024 arriti në 941.5 milionë euro, ndërsa importet u ngritën në 6.4 miliardë euro.
Për krahasim, në vitin 2014 eksportet kishin vlerën e 324.5 milionë eurove, kurse importet ishin 2.5 miliardë euro, duke treguar se edhe pse ka rritje në eksport, hendeku mes importit dhe eksportit mbetet i theksuar.
Sipas ASK-së, inflacioni vjetor për vitin 2024 ishte 1.6%, një ulje e ndjeshme krahasuar me vitin 2023 kur arrinte 4.9%. Gjatë dekadës së fundit, niveli më i lartë i inflacionit është regjistruar në vitin 2022, me 11.6%, duke reflektuar ndikimet globale në çmimet e tregut.
Ky publikim i ASK-së, i cili botohet çdo vit, përfshin një gamë të gjerë të dhënash statistikore. Përveç treguesve ekonomikë, aty pasqyrohen të dhëna demografike, sociale e kulturore: nga popullsia dhe ekonomitë familjare, deri te shëndetësia, arsimi, bujqësia, mirëqenia sociale dhe energjia.