ASK: Regjistrimi i diasporës nuk e ka qëllimin të jetë etnik as religjioz

22.04.2024

Qytetarët e diasporës që po marrin pjesë në regjistrimin e popullsisë nuk po mund të përcaktohen cilës etni i përkasin.

ASK: Regjistrimi i diasporës nuk e ka qëllimin të jetë etnik as religjioz Foto: Ilustrim

Lidhur me këtë është deklaruar drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati në konferencën e radhës që ASK po mban lidhur me ecurinë e procesit të Regjistrimit të Popullsisë.

Ai bëri të ditur se regjistrimi i diasporës nuk e ka qëllimin të jetë etnik as religjioz.

“Ne i kemi marrë këto komente, regjistrimi i diasporës në fakt në fillim ka qenë me i marrë vetëm disa indikatorë, gjinia dhe shteti, dhe në fund është finalizuar pyetësori me 15 pyetje. Por qëllimi nuk është që të kemi regjistrim etnik apo religjioz, sepse në aspektin teknik është problem. Qëllimi është me ditë këta persona nuk janë këtu por në Gjermani, Zvicër, kaq”, tha Kastrati.

Ndër tjerash, drejtori i ASK-së bëri të ditur se ka një refuzim të vogël për regjistrim por megjithatë ftoi qytetarët që të regjistrohen.

“Ka një refuzim shumë të vogël, jo dyshifrorë por një shifrorë, por jemi në negociata dhe ditët në vazhdim edhe ata do të marrin pjesë. Të gjithë qytetarët të regjistrohen aty ku janë rezidentë, sepse edhe mosdhënia e saktë e informacioneve do të dënohet”, tha Kastrati.