Arrestohen dy persona për nxitje të përçarjes dhe mosdurimit, sekuestrohen flamuj me mbishkrime arabe
Policia e Kosovës ka njoftuar arrestimin e dy personave të dyshuar në Prishtinë nën akuzën e nxitjes së përçarjes dhe mosdurimit.
Gjatë një operacioni të zhvilluar në koordinim me Prokurorinë, forcat e rendit kanë kontrolluar shtëpinë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë, ku kanë sekuestruar prova materiale të rëndësishme.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar disa pajisje elektronike dhe flamuj me mbishkrime arabe, të cilat, sipas policisë, përdoren nga organizata terroriste.
“Policia e Kosovës, përmes drejtorisë kompetente në mbështetje të njësiteve relevante, në koordinim me Prokurorinë, kanë kontrolluar shtëpinë e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë. Si prova materiale janë sekuestruar disa pajisje elektronike, flamuj me mbishkrime Arabe e që përdoren nga Organizata Terroriste. Dy të dyshuarit janë arrestuar nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale të lartëcekur dhe pas intervistuar me vendim të prokurorit, janë dërguar në mbajtje,” thuhet në njoftimin zyrtar të PK-së.
Arrestimi i dy të dyshuarve dhe sekuestrimi i materialeve të tilla ngre shqetësime serioze lidhur me aktivitetet e mundshme ekstremiste dhe përpjekjet për të nxitur përçarje dhe mosdurim në vend. Policia e Kosovës ka treguar gatishmëri në adresimin e këtyre kërcënimeve dhe në garantimin e sigurisë publike.
Hetimet pritet të vazhdojnë për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj çështjeje dhe për të përcaktuar lidhjet e mundshme të të dyshuarve me ndonjë organizatë të caktuar. Publiku do të mbahet i informuar për zhvillimet e reja nga autoritetet kompetente.