Anulohet seanca ndaj të akuzuarit për krime lufte në Burgun e Dubravës
Edhe një seancë gjyqësore kundër Gavrilo Milosavleviqit, të akuzuarit për krime lufte gjatë kohës sa ishte zyrtar në Burgun e Dubravës, është anuluar.
Seanca e së enjtes, 24 prill 2025, në Gjykatën Themelore në Prishtinë nuk u mbajt për shkak të kërkesës së avokatit të tij mbrojtës, Dejan Vasiq.
Lajmi për anulimin e seancës u konfirmua për “Betimi për Drejtësi” nga vetë gjykata. Ky është anulimi i dytë radhazi i seancës, pasi edhe ajo e planifikuar për 11 prill 2025 kishte dështuar të mbahej për shkak të mungesës së dëshmitarit të propozuar nga mbrojtja e Milosavleviqit.
Gavrilo Milosavleviq akuzohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës në bazë të aktakuzës së ngritur më 29 nëntor 2023. Sipas aktakuzës, ai, në cilësinë e zyrtarit në Burgun e Dubravës, në bashkëkryerje me persona të tjerë, dyshohet se ka aplikuar masa represive të vrasjes, rrahjes, maltretimit, torturës dhe trajtimit mizor e çnjerëzor ndaj të burgosurve civilë shqiptarë.
Aktakuza e detajon më tej rolin e Milosavleviqit në masakrën e të burgosurve shqiptarë në bashkëkryerje me njësitë policore serbe. Sipas prokurorisë, ata kishin urdhëruar nxjerrjen e rreth 1 mijë të burgosurve në oborrin e burgut, në vendin e njohur si “Fusha e Sportit”, me pretekstin e numërimit dhe dërgimit në një vend më të sigurt nga bombardimet e NATO-s.
Më tej, aktakuza thekson se menjëherë pas rreshtimit, ushtarakët serbë kishin gjuajtur me mitralozë, mortaja dhe armë të tjera në drejtim të të burgosurve. Ky operacion vrasës, i cili kishte filluar më 22 maj 1999 dhe kishte zgjatur deri më 24 maj 1999, rezultoi me vrasjen e 109 të burgosurve.
Përveç masakrës, Milosavleviq akuzohet se, në bashkëkryerje me zyrtarë të tjerë ushtarakë serbë, thuajse çdo ditë kishte shkuar nëpër pavijonet “B” dhe “C” të Burgut të Dubravës, duke i rrahur në mënyrë mizore dhe çnjerëzore të burgosurit civilë shqiptarë.