Nisin punimet restauruese në shtëpinë e familjes Xhevdet Gashi në Dubravë të Suharekës

3 orë

Kanë nisur punimet restauruese në shtëpinë e familjes Xhevdet Gashi në fshatin Dubravë të Suharekës, me qëllim të ruajtjes dhe mbrojtjes së vlerave historike e arkitektonike të këtij objekti të trashëgimisë kulturore.

Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, e cila ka theksuar rëndësinë e investimeve në mbrojtjen dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore.

Shtëpia, e ndërtuar në shekullin XIX, paraqet një shembull të veçantë të arkitekturës tradicionale të banimit. Ajo karakterizohet nga organizimi i veçantë i hapësirave, i ngjashëm me atë të kullave tradicionale të gurit.

Përmes këtyre punimeve synohet ruajtja e autenticitetit dhe vlerave të këtij objekti, në mënyrë që trashëgimia kulturore të mbrohet dhe t’u përcillet brezave të ardhshëm.