Anëtarësimi në BE, aneksi nga Marrëveshja e Ohrit do të bëhet pjesë e “Kapitullit 35” për Serbinë

17.04.2024

Dilema e përhershme “Kosova apo Bashkimi Evropian” që ka pasur Serbia, do ta marrë përgjigjen javën e ardhshme.

Anëtarësimi në BE, aneksi nga Marrëveshja e Ohrit do të bëhet pjesë e “Kapitullit 35” për Serbinë

Ambasadorët e vendeve anëtare të unionit miratuan dy ditë më parë tekstin e përditësuar të qëndrimit të përbashkët për kapitullin 35, i cili nënkupton se Serbia do të zbatojë plotësisht detyrimet e saj që dalin nga Marrëveshja për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, dhe kjo në përputhje me aneksin për zbatimin e tij, të rënë dakord më 18 mars 2023 në Ohër.

Kjo do të thotë se ky dokument bëhet pjesë integrale e negociatave në kuadër të kapitullit 35 të negociatave. Konfirmimi është dhënë, pa diskutim, nga ambasadorët në mbledhjen e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare të BE-së dhe kështu praktikisht i kërkojnë Beogradit të heqë dorë nga pretendimet e saj mbi Kosovën.

LEXO EDHE:  2,400 vdekje i atribuohen ndotjes së ajrit në Kosovë, deri në 239,000 në BE

Teksti duhet të konfirmohet në Këshillin e BE-së për Punë të Jashtme, me gjasë javën e ardhshme, pas së cilës do t’u dërgohet zyrtarisht autoriteteve serbe si akt i pozicionit negociator të BE-së për kapitullin 35.

Dokumenti i Ohrit, të cilin Aleksandar Vuçiq nuk ka dashur ta nënshkruajë, ndër të tjera, nënkupton se Beogradi nuk është kundër anëtarësimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.

Nëse Serbia do të përballet me zgjedhjen “Kosova apo BE”, do të varet nga Këshilli i Bashkimit Evropian, i cili vendimin përfundimtar e merr me konsensus. Sipas informacioneve jozyrtare, Hungaria edhe pse e ka njohur Kosovën e kundërshton këtë kusht.

Etiketat