Ambasadorja Ziv: Kosova qëndroi përkrah Izraelit – mirënjohje për mbështetjen
Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka deklaruar se situata e sigurisë në Izrael është përmirësuar ndjeshëm pas përfundimit të Operacionit “Luani që po Ngrihet”, duke theksuar se kërcënimi katërdekadash nga regjimi iranian është shtyrë për shumë vite.
Në një intervistë për RTKlive, ambasadorja Ziv ka falënderuar Kosovën për përkrahjen e saj të menjëhershme pas bombardimeve amerikane mbi objektet bërthamore iraniane, duke veçuar reagimin e kryeministrit Albin Kurti si lideri i parë ballkanik që shprehu mbështetje publike ndaj aksioneve amerikane dhe izraelite.
“Ne e vlerësojmë qëndrimin e Kryeministrit Kurti. Kosova qëndron fort përkrah SHBA-së dhe BE-së kundër ambicieve bërthamore të Iranit. Të gjitha vendet demokratike duhet të kuptojnë se duke dëmtuar ndjeshëm programin bërthamor të Iranit, e gjithë bota është një vend më i sigurt,” theksoi ajo.
Sipas Ziv, në operacionin ushtarak u dëmtuan rëndë objektet kyçe bërthamore të Iranit, përfshirë ato në Fordo, Natanz, Isfahan dhe Arak. Ajo tha se sulmet e përbashkëta amerikano-izraelite shkatërruan një sërë objektivash strategjike të regjimit iranian, përfshirë qendra për prodhimin e raketave dhe laboratorë bërthamorë.
“Operacioni ka rikthyer sigurinë në rajon dhe ka dobësuar ndjeshëm ‘boshin shiit’ të krijuar nga Irani, përmes të cilit ky vend përpiqej të rrethonte Izraelin përmes organizatave terroriste si Hezbollahu, Hamasi dhe të tjerë,” tha ajo.
Ziv komentoi edhe për pasojat tragjike të sulmeve iraniane ndaj Izraelit gjatë operacionit, ku humbën jetën 28 persona dhe mbi 1,470 të tjerë u plagosën. Megjithatë, ajo tha se armëpushimi i arritur në koordinim me SHBA-në vjen pasi Izraeli i ka përmbushur qëllimet e tij.
Ambasadorja vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet historikisht të ngrohta mes popullit të Kosovës dhe komunitetit hebre, duke përkujtuar ndihmën e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe kontributin e Izraelit gjatë dhe pas luftës në Kosovë. Ajo përmendi kontributin e veçantë të Dr. Moshe Landsman, i cili punoi në Kosovë për 25 vjet dhe ndërroi jetë vitin e kaluar.
“Vendet tona po festojnë tashmë 4.5 vite marrëdhënie diplomatike. Është bërë përparim i madh në fusha të ndryshme, e fundit prej të cilave ishte Marrëveshja për Heqjen e Vizave, që hyri në fuqi në fillim të majit,” u shpreh ambasadorja izraelite.
E pyetur për mundësinë e hapjes së një ambasade izraelite në Prishtinë, Tamar Ziv u shpreh optimiste: “Shpresoj sinqerisht që po.”
Ajo shtoi se pret që vitin e ardhshëm të sjellë rritje të turizmit të ndërsjellë, shkëmbimeve ekonomike, kulturore e arsimore, dhe të thellohet bashkëpunimi në fusha të reja.
“Besoj se tani që shpresojmë të kalojmë nga lufta në rindërtim, do të jemi gjithashtu në gjendje të punojmë së bashku për të zhvilluar më tej marrëdhëniet mes vendeve tona,” përfundoi ambasadorja Ziv.