Evakuime masive nga Lindja e Mesme, mes të shpëtuarve edhe shtetas nga Kosova
Përshkallëzimi i konfliktit mes Izraelit dhe Iranit ka detyruar shumë shtete të nisin evakuimin e shtetasve të tyre nga Lindja e Mesme, për shkak të rrezikut në rritje dhe bllokimit të hapësirës ajrore në rajon.
Sipas agjencisë Associated Press, një grup prej 89 shtetasish bullgarë është evakuuar nga Izraeli drejt Sofjes, së bashku me 59 shtetas nga vende të tjera, përfshirë Kosovën, Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Belgjikën, Slloveninë dhe Rumaninë.
Evakuimi është realizuar me rrugë tokësore dhe ajrore, duke kaluar fillimisht në qytetin egjiptian Sharm el-Sheikh, ku shtetasit u transportuan me autobus nga territori izraelit. Më pas, ata janë nisur me avion drejt kryeqytetit bullgar, Sofje.
Kryeministri i Bullgarisë, Rosen Zhelyazkov, deklaroi se vendimi për evakuim u mor në koordinim me autoritetet përkatëse, ndërsa bëri të ditur se janë përdorur gjithsej 11 automjete për transportimin e qytetarëve në mënyrë të sigurt. “Kishte alternativa përmes Turqisë, por në fund vendosëm për rrugën drejt Azerbajxhanit,” theksoi ai, duke shtuar se ambasada bullgare në Teheran është zhvendosur përkohësisht në Baku për shkak të rrezikut të lartë.
Përveç Bullgarisë, edhe Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapa konkretë për të ndihmuar në evakuimet e qytetarëve të vendeve anëtare. Deri tani, rreth 400 persona janë evakuuar nga Izraeli përmes Jordanisë dhe Egjiptit, me fluturime të bashkëfinancuara deri në 75% nga BE-ja. Ndërkohë, shtete si Sllovakia, Lituania, Greqia dhe Polonia kanë kërkuar ndihmë për organizimin e evakuimeve nga zona e konfliktit.
Sulmet dhe kundërsulmet mes Izraelit dhe Iranit, të cilat kanë nisur që nga e premtja e kaluar, kanë sjellë një situatë të tensionuar në gjithë Lindjen e Mesme, duke rrezikuar jetën e mijëra të huajve dhe duke vështirësuar seriozisht lëvizjen ajrore dhe komerciale në rajon.