Trump njofton marrëveshjen historike të paqes mes Izraelit dhe Iranit: “Armëpushimi tani ka hyrë në fuqi”
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar arritjen e një marrëveshjeje historike për armëpushim mes Izraelit dhe Iranit, duke i dhënë fund një konflikti 12-ditor që kishte tensionuar ndjeshëm Lindjen e Mesme.
Foto: Ilustrim
Përmes një postimi në rrjetin e tij social “Truth Social”, Trump konfirmoi se palët kanë rënë dakord për një “ARMËPUSHIM TË PLOTË dhe TOTAL”, i cili do të hyjë në fuqi plotësisht pas rreth gjashtë orësh, sapo të përfundojnë misionet e tyre ushtarake.
“Është rënë dakord plotësisht midis Izraelit dhe Iranit që do të ketë një armëpushim të plotë dhe totale… Në orën 24 një fund zyrtar i luftës 12-ditore do të përshëndetet nga e gjithë bota”, shkroi Trump.
Presidenti amerikan theksoi se gjatë periudhës së armëpushimit, të dyja palët do të qëndrojnë “paqësore dhe respektuese” ndaj njëra-tjetrës, ndërsa falënderoi si Izraelin ashtu edhe Iranin për “guximin dhe inteligjencën për t’i dhënë fund asaj që duhet të quhet ‘Lufta 12-ditore’”.
“Kjo është një luftë që mund të kishte vazhduar me vite dhe të kishte shkatërruar të gjithë Lindjen e Mesme, por nuk ndodhi dhe nuk do të ndodhë kurrë!”, deklaroi Trump, duke shtuar: “Zoti e bekoftë Izraelin, Zoti e bekoftë Iranin, Zoti e bekoftë Lindjen e Mesme, Zoti i bekoftë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Zoti e bekoftë botën!”
Në një tjetër postim të mëvonshëm, Presidenti Trump konfirmoi se “armëpushimi tani ka hyrë në fuqi”, duke bërë thirrje për respektimin e tij të plotë: “Ju lutem, mos e shkelni atë!”, u shpreh ai.
Megjithatë, deri tani as Irani dhe as Izraeli nuk e kanë konfirmuar zyrtarisht marrëveshjen e shpallur nga Presidenti amerikan. Konflikti ka lënë pas qindra viktima në Iran dhe dhjetëra në Izrael, ndërsa komuniteti ndërkombëtar vijon të ndjekë nga afër zhvillimet.
Sipas Trump, armëpushimi do të realizohet në një proces të fazuar prej 24 orësh, i cili nisi rreth orës 04:00 GMT të martën. Plani parashikon që Irani të ndalojë i pari operacionet ushtarake, ndërsa Izraeli pritet të ndjekë shembullin 12 orë më vonë.
Kjo marrëveshje vjen në një moment tensioni të lartë mes Uashingtonit dhe Teheranit. Vetëm disa orë më parë, Irani kishte paralajmëruar gatishmërinë për t’iu përgjigjur çdo sulmi të ri nga SHBA. Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, kishte deklaruar se sulmi me raketa ndaj bazës amerikane Al-Udeid në Katar ishte një “përgjigje ndaj agresionit të hapur amerikan”, duke theksuar se Irani “do të jetë gati të përgjigjet përsëri” në rast të ndonjë agresioni tjetër.
Nga ana tjetër, Trump e kishte minimizuar sulmin iranian, duke e quajtur atë “një përgjigje shumë të dobët”, ndërsa kishte shprehur shpresën që Irani dhe Izraeli të zgjidhnin rrugën e paqes.
Tashmë mbetet për t’u parë nëse palët do të respektojnë plotësisht marrëveshjen dhe nëse ky armëpushim do të shënojë vërtet një kthesë historike për paqen në rajon.