AKB: 9 miliardë euro nga diaspora janë futur në banesa, kapital i vdekur për ekonominë e Kosovës

25.09.2025

Aleanca Kosovare e Bizneseve ka njoftuar se 9 miliardë euro të diasporës janë futur në blerjen e banesave në vende të ndryshme brenda Kosovës.

Sipas AKB kjo është shqetësuese sepse këto investime cilësohen si kapital i vdekur për ekonominë e Kosovës.

“Aleanca Kosovare e Bizneseve shpreh shqetësim të thellë për mënyrën si po orientohen investimet e diasporës në Kosovë. Vetëm gjatë dy dekadave të fundit, diaspora ka futur mbi 9 miliardë euro në blerjen e rreth 180 mijë banesave në Kosovë. Këto janë mjete kolosale, por të shndërruara në kapital të vdekur, që nuk krijojnë as vende pune, as zhvillim ekonomik, as të ardhura të reja për shtetin.

Kjo shifër e lartë tregon qartë se Qeveria e Kosovës nuk ka asnjë strategji të mirëfilltë për orientimin e remitancave dhe të kursimeve të mërgatës drejt sektorëve prodhues e shërbimorë. Në mungesë të lehtësirave, sigurisë dhe politikave shtetërore, diaspora zgjedh të investojë në pasuri të paluajtshme, duke humbur mundësinë e krijimit të kapitalit qarkullues që do t’i jepte frymëmarrje ekonomisë së vendit.” thuhet në njoftimin e AKB.

Poashtu, Aleanca Kosovare e Bizneseve në Kosovë konsideron se këto para që kanë arritur vlerën prej 9 miliardë euro, janë një pasuri e madhe e cila është vendosur në vendin e gabuar me mbi 50%, e ku shprehen se kjo bie përgjegjësi e Qeverisë së Kosovës, ku sipas AKB ka dështuar në krijimin e kushteve për investime të shëndosha, si dhe diasporën për të cilën thuhet se nuk po e shfrytëzon potencialin e saj për gjenerim afatgjatë.

“AKB konsideron se 9 miliardë euro në banesa janë një pasuri e madhe e vendosur në vendin e gabuar mbi 50%. Përgjegjësia bie si mbi Qeverinë, e cila ka dështuar të krijojë kushte për investime të shëndosha, ashtu edhe mbi diasporën që nuk po e shfrytëzon potencialin e saj për gjenerim të zhvillimit afatgjatë.

AKB kërkon nga Qeveria, hartimin e një strategjie të qartë dhe stimuj realë për orientimin e remitancave në ekonomi aktive.

Nga diaspora, një reflektim dhe angazhim më të madh për investime në biznese prodhuese, në shërbime, në teknologji dhe në projekte që gjenerojnë punësim e perspektivë për të rinjtë e Kosovës tha në fund Agim Shahini Kryetar I AKB-ës.” thuhet tutje në njoftim.