Afati i Konjufcës mbaron brenda dy ditësh, Osmani: Shpresoja që seanca të ftohej më herët
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka folur sot për procesin e formimit të qeverisë dhe për ftesën për seancën e Kuvendit, duke theksuar se ajo do të bëhet në kohë dhe në përputhje me afatet kushtetuese.
“Siç e dini, ftesa për seancë mund të bëhet edhe si seancë e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime të deputetëve, dhe jam e bindur që ajo do të ftohet me kohë që të respektohen afatet kushtetuese për formimin e qeverisë.
Nga ana tjetër nuk mund të paragjykoj se cili do të jetë rezultati i votimit. Me rëndësi është që seanca të ftohet brenda atij afati, dhe pastaj është në duart e deputetëve dhe partive se çka diskutojnë. Këto janë procese në të cilat s’kam ndërhyrë më parë e nuk mund të ndërhyj as tash,” tha Osmani.
Presidentja shtoi se kishte pasur shpresë që seanca të ftohej më herët, duke u bazuar në bisedat që kishte zhvilluar.
“Sa i përket ftesës ka qenë optimizëm i imi; duket se të tjerët nuk e kanë pasur të njëjtin optimizëm. Kam pasur shpresë që do të ftohet më herët,” u shpreh ajo, duke shtuar se tani pritet të shihet se çfarë do të ndodhë të mërkurën.
Deklarata e presidentes vjen në një moment kur vendi po përballet me sfidat e krijimit të institucioneve të reja, ndërsa respektimi i afateve kushtetuese mbetet thelbësor për stabilitetin politik dhe qeverisjen e vendit.