Adrian Zalli i Trustit zyrtari më i paguar në vend, me 56 mijë e 823 euro pagë vjetore

25.04.2025

Drejtori menaxhues i Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust), Adrian Zalli, vazhdon të jetë zyrtari publik me pagën më të lartë në vend.

Pas tij renditet guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, paga e të cilit është thuajse sa e Zallit, raporton KosovaPress.

Sipas të dhënave të deklaruara në Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit (APK) për vitin 2025, Adrian Zalli merr një pagë vjetore prej 56 mijë e 823 euro, që i bie një pagë mujore prej 4 mijë e 735 euro.

Përveç pagës së lartë, Zalli ka deklaruar në APK edhe para të gatshme në llogari rrjedhëse mbi 200 mijë euro, të kursyera në depozita në euro dhe valuta të tjera të huaja. Ai gjithashtu posedon një veturë të blerë në vitin 2007 me vlerë 14 mijë e 800 dollarë.

Zyrtari i dytë më i paguar në vend është guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Ahmet Ismaili, i cili ka deklaruar një pagë vjetore prej 51 mijë e 793 euro, ose 4 mijë e 316 euro në muaj.

Interesant është fakti se të dy zyrtarët e lartë të përmendur kanë paga më të larta se vetë presidentja dhe kryeministri i vendit.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar për vitin 2025 një pagë vjetore prej 33 mijë e 104 euro (2 mijë e 758 euro në muaj), ndërsa kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka deklaruar një pagë vjetore prej 20 mijë e 278 euro (1 mijë e 689 euro në muaj). Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka deklaruar në APK më 31 mars 2025 një pagë vjetore prej 35 mijë e 857 euro.