Rekord historik për Trustin, 312 milionë euro fitim në gjashtë muaj

13.07.2026

Fondi i Kursimeve Pensionale të Kosovës (FKPK) ka regjistruar performancën më të mirë të investimeve në historinë e tij gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.

Sipas të dhënave të publikuara, kthimi bruto nga investimet për periudhën 1 janar – 30 qershor 2026 ka arritur në rreth 312 milionë euro, duke shënuar nivelin më të lartë të realizuar ndonjëherë brenda një periudhe gjashtëmujore.

Ky rezultat i shtohet performancës pozitive të viteve të fundit. Vetëm gjatë periudhës 2023–2025, FKPK-ja kishte realizuar rreth 644 milionë euro kthim bruto nga investimet.

Në total, nga 1 janari 2023 deri më 30 qershor 2026, fondi ka akumuluar rreth 956 milionë euro kthim bruto nga investimet, duke reflektuar një rritje të qëndrueshme në menaxhimin e mjeteve pensionale.

Sipas FKPK-së, rezultatet e fundit tregojnë performancë të vazhdueshme pozitive të investimeve, me ndikim në rritjen e vlerës së kursimeve pensionale të kontribuuesve.