9 milionë euro për bizneset – Kurti: Dëshmi e vizionit për zhvillim
Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), ka nënshkruar marrëveshjen në vlerë 8.9 milionë euro me 198 ndërmarrje përfituese nga skema e granteve për blerjen e makinerive të avancuara prodhuese dhe përpunuese, certifikim të produkteve dhe sektorin e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se kjo mbështetje financiare ndaj ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme është dëshmi e vizionit të tyre për qeverisje të mirë dhe zhvillim të qëndrueshëm.
Ai shtoi se ndërmarrjet vendore janë shtylla kryesore për zhvillim të qëndrueshëm të Kosovës.
“Në përputhje me vizionin tonë për qeverisje të mirë, zhvillim të qëndrueshëm, mirëqenie, siguri dhe barazi, krijimi i një mjedisi të favorshëm për të bërë biznes dhe rritja e konkurrueshmërisë së ndërmarrjeve tona mbeten prioritete të pandryshuara.
Me këtë investim të radhës ne po ofrojmë mbështetje direkte për shpalosjen e potencialit dhe rritjen e industrisë vendore.
Pikërisht për ata që janë kontribuues kyç të zhvillimit të mëtejmë ekonomik, social dhe mjedisor në vendin tonë. Këto 198 ndërmarrje janë përfituese nga tri skema të granteve nga KIESA. E para është skema e granteve për mbështetje të ndërmarrjeve prodhuese me potencial për eksport, për blerjen e makinerive prodhuese — 129 ndërmarrje përfituese në vlerë financiare prej 7.3 milionë euro.
Qëllimi i kësaj skeme mbështetëse është për zgjerimin e kapaciteteve prodhuese dhe përpunuese dhe rritjen e konkurrueshmërisë së tyre në produkte për tregun ndërkombëtar.
E dyta është skema e granteve në mbështetje të ndërmarrjeve që operojnë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Janë 42 ndërmarrje përfituese në vlerë 1 milion euro. E treta është skema e granteve për certifikimin e produkteve ku janë 27 biznese përfituese në vlerë 600 mijë euro”, tha ai.